Avokati i Popullit “në mbështetje” të banorëve të Rrjollit me videon që sulmon Sali Berishën

Prej më shumë se 1 muaji pa postuar asgjë në rrjetet sociale, Avokati i Popullit, Endri Shabani është rikthyer ditën e djeshme me një postim në mbështetje të banorëve të Rrjollit në Velipojë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e resortit turistik të biznesmenit Bashkim Ulaj në tokat e tyre.

Në fotot e publikuara në rrjetet sociale, thuhet se Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes Përfaqësueses së Zyrës Rajonale Shkodër, ishte pranë banorëve në fshatin Rrjoll, Velipojë.

“Ky inspektim u realizua me qëllim monitorimin e situatës në terren dhe njohjen e drejtpërdrejtë me shqetësimet e komunitetit. Gjatë takimit, falë gatishmërisë dhe punës së përfaqësueses sonë, banorët u këshilluan hollësisht mbi mjetet ligjore dhe të drejtat kushtetuese për mbrojtjen e pronës së tyre.

Avokati i Popullit mbetet i angazhuar maksimalisht për të garantuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe që çdo procedurë administrative të jetë transparente e në përputhje të plotë me ligjin”, thuhet më tej në njoftimin e Avokatit të Popullit, shoqëruar edhe me disa foto nga protesta e banorëve.

Ndërkohë, në postim është futur edhe një link, që kur e klikon të dërgon në një kronikë të televizionit Report TV, ku në titull thuhet se banorët kanë shprehur pakënaqësi ndaj kryedemokratit Sali Berisha, pasi nuk kanë patur asnjë mbështetje nga ai, për shkak se Bashkim Ulajn e ka të familjes.

Nuk dihet nëse kjo video është zgjedhur rastësisht, apo është një “hakmarrje” e Shabanit ndaj Partisë Demokratike, e cila i dha firmat për të kandiduar si Avokat i Popullit, por e kundërshtoi gjatë votimit dhe e ka dërguar çështjen në Kushtetuese.

Ndoshta, Avokati i Popullit duhet të kishte zgjedhur një tjetër video nga shumë që janë publikuar nga protestat e banorëve, duke mos e politizuar çështjen, por duke i mbështetur vërtetë ata banorë që nuk kërkojnë asgjë tjetër veçse të drejtës së tyre për pronën.

Postimi i Avokatit tw Popullit:

Institucioni I Avokatit Të Popullit Në Mbështetje Të Banorëve Të Fshatit Rrjoll, Velipojë

Me datën 17.02.2026, Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes Përfaqësueses së Zyrës Rajonale Shkodër, ishte pranë banorëve në fshatin Rrjoll, Velipojë.

Ky inspektim u realizua me qëllim monitorimin e situatës në terren dhe njohjen e drejtpërdrejtë me shqetësimet e komunitetit. Gjatë takimit, falë gatishmërisë dhe punës së përfaqësueses sonë, banorët u këshilluan hollësisht mbi mjetet ligjore dhe të drejtat kushtetuese për mbrojtjen e pronës së tyre.

Avokati i Popullit mbetet i angazhuar maksimalisht për të garantuar që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe që çdo procedurë administrative të jetë transparente e në përputhje të plotë me ligjin.

http://youtube.com/watch?si=KE-fleY_643YMSgM…