Autogoli i Ramës me videon e “qytetarit dixhital”: Zbulon dështimin e Bashkisë së Vlorës për pastrimin e mbetjeve

Teksa rreket çdo ditë për të përçarë protestuesit që vijojnë të shtohen çdo ditë më shumë kundër politikës së vjetër, kryeministri Edi Rama ka publikuar videon që i ka dërguar një qytetar, ku tregohet ndotja e Zvërnecit me plehra.

Në mesazhin e dërguar, qytetari thotë se është pro investimit në Zvërnec, teksa akuzon qytetarët se po ndotin zonat e mbrojtura, ndaj duhet që investimi të bëhet që zona të zhvillohet.

Por, më shumë se propagandë për investimin në Zvërnec, Edi Rama duket se ka bërë “autogol” me videon e postuar, pasi ka nxjerrë në pah dështimin e Bashkisë së Vlorës për pastrimin e mbetjeve.

Edhe komentuesit e shumtë ia kanë vënë në pah Ramës se është dështimi i qeverisë së tij dhe Bashkisë që Zvërneci nuk është pastruar nga mbetjet, teksa i thonë që të lërë propagandën, por të dërgojë një makinë pastrimi për të mbledhur mbeturinat.