Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, deklaroi në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes se atentati në Rinas tregoi qartë se siguria kombëtare ka rënë.
Në këtë Komision po raporton kreu i AMP-së, Eduart Merkaj, të cilit Kapri i tha se duhej të kishte dhënë dorëheqjen, për shkak se një punonjës i këtij institucioni ishte vënë në shërbim të një anëtari të krimit.
Për Kaprin, as pezullimit dhe as masat administrative nuk janë të mjaftueshme pas një ngjarje të tillë, por duhet hetuar se si një institucion si AMP rekruton punonjës që vihen në shërbim të krimit të organizuar.
“Ngjarja në Rinas tregoi që praktikisht ka rënë siguria kombëtare, jo vetëm për faktin që ndodhi në pjesën më të ruajtur në Shqipëri, por për faktin se një nga viktimat, punonjësi juaj, ishte shoqëruesi i një anëtari të krimit të organizuar.
Nuk mjafton vetëm me reagimin tuaj të shkurtër për të pezulluar grupin e Operacionales, por çështja është më e rëndë se kaq. Si ka mundësi që trupa elitare, siç duhet të jeni ju, rekruton punonjës të tillë që vihen në funksion të krimit të organizuar. Dhe si ka mundësi që përgjigja juaj ishte kaq e varfër?
Sepse në një vend normal demokratik, kur një punonjës policie, anëtar i forcave elitare, shkon e bën këtë detyrë, nuk mund të flitet më për siguri, as për pezullime e masa administrative. Kërkohen përgjegjësi të tjera, dhe unë mendoj se ju duhet të kishit dhënë dorëheqjen”, tha Kapri.