Arrihet marrëveshja, Kosova bie dakord me kushtet e BE-së për shtensionimin e situatës në veri

Qeveria e Kosovës ka arritur në një marrëveshje me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas një njoftimi zyrtar Kosova do të zvogëlojë praninë policore në veru dhe do të mbështesë zgjedhjet e reja në katër komunat e Veriut, për të shtensionuar situatën.

 Të gjitha hapat, sipas Qeverisë së Kosovës, do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Qeveria e Kosovës njofton gjithashtu vijimin e dialogut në Bruksel për implementimin e të gjitha pikave të marrëveshjes.

Sipas njoftimit të qeverisë së Kosovës, dakordësimi është arritur për këto pika:

Qeveria e Kosovёs publikisht e tregon gatishmёrinё e saj pёr tё kontribuar nё deeskalimin e situatёs dhe mosndёrmarrjen e veprimeve qё mund tё eskalojnё situatёn nё veriun e vendit. Kjo pёrfshin njё zvogёlim tё menjёhershёm nё masёn e 25% tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

-Policia e Kosovës bashkё me EULEX-in dhe KFOR-in, sipas nevojës do të vlerёsojnё gjendjen e sigurisё, nё veçanti pёr tё shikuar mundёsinё pёr zvogёlim tё mёtejmë tё prezencёs policore nё dhe rreth ndёrtesave komunale.

-Qeveria e Kosovёs pёrmes njё deklarate publike mbёshtet mbajtjen e zgjedhjeve tё parakohshme nё 4 komunat nё veri tё vendit dhe atё pas stinёs sё verёs. Kosova shpreh pёrkushtimin pёr sigurimin e bazёs sё nevojshme ligjore pёr tё mundёsuar organizimin e kёtyre zgjedhjeve.

-BE do ftojё dy kryenegociatorёt nё Bruksel me synim finalizimin e planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit do tё fillojё zbatimi i tё gjitha neneve tё marrёveshjes.

Edhe BE-ja ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se është pajtuar me Kosovën për këto pika, që synojnë shtensionimin e situatës në veri. Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL mëson se ai do të mbahet javën e ardhshme.

Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Që atëherë, serbët lokalë po protestojnë në veri, duke kërkuar që përveç kryetarëve, të tërhiqen edhe njësitë speciale policore nga veriu.

Edhe më herët, krerët shtetërorë në Kosovë janë shprehur të gatshëm që të organizojnë zgjedhje të reja në komunat në veri, por kanë kërkuar që ato të përgatiten, në mënyrë që të mos ketë bojkotim.