Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një tjerër person në lidhje me sulmin në kanalin e ujit të Ibër Lepencit në Zubin Potok. Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sipas Policisë, i ndaluari dyshohet të ketë patur rol të rëndësishëm në kuadër të grupit përgjegjës për rastin e sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike.
Autoritetet gjyqësore ndaj të dyshuarit kanë caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh.
Policia tha se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar edhe armë, përfshirë dhe pajisje ushtarake, përfshirë katër granata dore, një pushkë gjuetie, 500 copë municione të kalibrave të ndryshëm, karikatorë të ndryshëm, radiolidhje, dylbi, një kamerë kamoflueuse, uniforma ushtarake dhe dokumente të ndryshme.
“Situata e sigurisë në veri të vendit aktualisht vlerësohet e qetë, por siç e kemi bërë të ditur në vazhdimësi është një situatë e brishtë, e përcjellë me raste të natyrave të ndryshme kriminale, si rasti i fundit i sulmit kriminal terrorist i ndodhur ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e ujit, dhe për këtë vazhdojnë masat shtesë të PK-së”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.