Arrestohet në Londër Harry Simpson, i përfshirë në vrasjen e Ardian Nikulaj në Shëngjin

Autoritetet angleze kanë arrestuar në Londër Harry Simpson, i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin pak muaj më parë.

Simpson ishte i vetmi i dyshuar që nuk ishte arrestuar deri më sot, pasi bashkëpunëtorët e tij kishin rënë në pranga. Porositësi dhe organizatori i vrasjes është Edmond Haxhia, ndërsa Thomas Mithan, Steve Hunt dhe Harriet Bridgeman bashkëpunuan për të kryer vrasjen.

Si ekzekutor i biznesmenit është arrestuar portugezi Ruben Saravia, i cili u kap në Marok 19 ditë pas ngjarjes.

Si ndodhi ngjarja:

Në 19 Prill të këtij viti, Ardian Nikulaj ishte ulur në lokalin e tij në Shëngjin, kur Ruben Saravia i maskuar u fut brenda, e përshëndeti dhe më pas e qëlloi me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas, ai u largua nga vendgjarja dhe nga Shqipëria, fillimisht drejt Greqisë, dhe më pas në MAaok, aty ku u arrestua.

Pas hetimeve dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë, policia arriti të identifikojë vrasësin dhe britanikët, të cilët kishin rolin e informatorëve për lëvizjet e biznesmenit. Tashmë pritet që autoritetet të zbarhdin të plotë ngjarjen e 19 Prillit.

Njoftimi i Policisë:

Punë intensive lokalizuese dhe kërkime të kryera në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023.

Lokalizohet dhe kapet në një banesë në Londër, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, shtetasi i fundit i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor për kryerjen e kësaj vrasjeje.

Si rezultat i bashkëpunimit të pandërprerë të strukturave të Policisë së Shtetit, me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, si dhe falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Manchester, u bë i mundur lokalizimi në një banesë në Londër, kapja dhe arrestimi me qëllim esktradimin, i shtetasit të shpallur në kërkim H. S. alias J. S., 32 vjeç, lindur dhe banues në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë ka caktuar për shtetasin H. S. alias J. S., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi akuzohet se në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë (në rolet e porositësit, ekzekutorit dhe 3 bashkëpunëtorëve të tjerë), ka qenë i implikuar në vrasjen e shtetasit Ardian Nikulaj, të kryer në Shëngjin, më datë 19 prill 2023.

Interpol Tirana vijon veprimet procedurale, në bashkëpunim me Interpol Manchester, me qëllim ekstradimin e 32-vjeçarit, drejt vendit tonë.