Arrestohen dy policë, njëri prej efektivëve i vodhi ish-gruas 5 milionë lekë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka arrestuar në flagrancë dy punonjës policie. Bëhet fjalë për inspektorin Llesh Tusha, i cili ushtronte detyrën në Komisariatin e Mirditës dhe inspektorin Jaçe Reçka me shërbim në Policinë e Gjirokastrës.

Sipas Policisë, Tusha u arrestua për veprën penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”, pasi gjatë drejtimit të një mjeti në “Rugën e Kombit” është përplasur me një automjet tjetër, duke shkaktuar dëme materiale.

Pas kryerjes së testit së alkoolit, ai rezultoi se ishte në gjendje të dehur. Ndërkohë, efektivi tjetër Jaçe Reçka u arrestua për veprat penale “Vjedhja”, “Dhuna në familje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ai u denocua në polici nga ish-bashkëshortja e tij, e cila ka raportuar se ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe i ka marrë një valixhe me një shumë prej 5 milionë lekësh.

Pas hetimeve, është kryer një kontroll në banesën e kunatit të punonjësit të policisë, ku janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 8,000 Euro, një dorezë metalike, një krehër me 7 fishekë dhe 287 fishekë pistolete.