“Arrest me burg” për Rei Metën, djalin e anëtares së KLP-së që vrau inxhinierin në Vlorë

Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 33 vjeçarin Rei Meta, i akuzuar për vrasjen e inxhinierit Armando Meshau pak ditë më parë në Vlorë.

Pala mbrojtëse ka kërkuar “arrest shtëpie”, duke paraqitur në gjykatë edhe një raport që tregon se 55 vjeçari që ndërroi jetë kishte patur një ndërhyrje “bypass” në zemër.

Si ndodhi ngjarja:

Autori dhe viktima u takuan rastësisht në një qendër internet në Vlorë, ku fillimisht debatuan, teksa më pas është viktima që ngrihet dhe e godet 33 vjeçarin, teksa ky i fundit i kthehet duke e goditur disa herë në fytyrë dhe kokë. Fatkeqësisht vikima bie dhe godet kokën në një nga tavolinat e kompjuterëve, teksa për disa sekonda qëndron i ulur në karrigë pa mundësi reagimi.

Në dëshminë e tij, Meta është shprehur se sherri ka ndodhur për një shumë parash që viktima kishte për t’ia dhënë.

“Me Armandon kam pasur një konflikt të hershëm për çështje lekësh. Unë para disa kohësh kisha ndërmjetësuar tek një tjetër person që Armando të blinte një sipërfaqe toke. Ai më kishte premtuar se nëse do të mund të blinte atë tokë, unë do të përfitoja prej tij një shumë lekësh, por që nuk më tha se sa. Pas disa kohësh mora vesh se ajo sipërfaqe toke ishte blerë nga Armando dhe kam shkuar disa herë ta takojë e t’i kërkoja lekët që më kishte premtuar”, ka deklaruar ai në polici.

Mësohet se prej 8 muajsh autori dhe viktima ishin në konflikt, pasi 33 vjeçari kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndjerë i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë. Autori kishte premtuar se do t’i zgjidhte punë për një pronë të Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së Nurihan Seiti Meta. Në këmbim do të përfitonte një apartament, të cilin viktima nu kia kishte dhënë, sipas dëshmisë së tij.