Arratisja e Altin Ndocit, pezullohet zinxhiri komandues i burgut të Durrësit

Pezullohet nga detyra zinxhiri komandues i burgut të Durrësit pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i qytetit, ku kishte shkuar për disa kontrolle mjekësore.

Mes të pezulluarve është edhe drejtori i burgut, Indrit Cërrloj.

Mësohet se Ndoci, i akuzuar për 4 vrasje, i ka kërkuar njërit prej policëve që e shoqëronte se do të shkonte në tualet. Sapo ka dalë nga tualeti, Ndoci ka goditur policin dhe është larguar me shpejtësi.

Plani për arratisjen ka qenë i mirëmenduar pasi jashtë ambienteve të spitalit, atë e pristë një makinë Audi A7 e bardhë dhe më pas janë larguar në drejtim të Spitallës.

“Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në një deklaratë paraprake të Drejtorisë së Burgjeve.