Rreth 60 studio të njohura arkitekture nga e gjithë bota kanë propozuar afro 500 projekte të bujshme në Shqipëri, duke nxitur zemërim dhe protesta. Tani, këto projekte janë përmbledhur në një botim prej 800 faqesh, që disa kritikë po e cilësojnë si një “provë komprometuese” të përmasave të bumit të ndërtimit, shkruan Oliver Wainwright për median britanike Thë Guardian
Vjeshtën e kaluar, po bisedoja në Nju Jork me një arkitekt të njohur, kur telefoni i tij nuk pushonte së vibruari. Më në fund i hodhi një sy mesazheve dhe qeshi. “Ah, grupi i Ushtrisë Shqiptare të Arkitekturës po zien sërish,” tha. “Duket se Edi ka disa projekte të reja për ne.”
Me “Edi” kishte parasysh Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë që prej vitit 2013, i cili ka mbikëqyrur transformimin e shpejtë të ish-vendit komunist përmes një vale projektesh të bujshme ndërtimi. Në Tiranë janë ngritur kulla me forma të përdredhura, krahas hapësirave publike të vlerësuara me çmime, resorteve mbresëlënëse në bregdet dhe shumë vizioneve të tjera spektakolare që pritet të realizohen. Tani, të gjitha janë mbledhur në një botim voluminoz të titulluar The Albanian Files.
Kritikët e shohin librin prej 800 faqesh si një dosje provash prej 2.2 kilogramësh.
Rezulton se transformimi i vendit koordinohet pjesërisht edhe përmes një grupi në WhatsApp, të quajtur shkurt “Albanian ArchArmy”, ku bëjnë pjesë disa nga arkitektët më të famshëm në botë. Është një forum ku ndahen arritjet, festohen projektet e reja dhe kryeministri-mecen përgëzohet për guximin dhe vizionin e tij.
Arkitekti nga Nju Jorku e përshkruan situatën si në një film me superheronj: Rama jep sinjalin dhe arkitektët-yje të botës mblidhen për të ardhur në ndihmë me projektet e tyre të guximshme. Po të shohësh me kujdes, mund të imagjinosh edhe shqiponjën dykrenare shqiptare të projektuar në qiellin e natës.
Grupi në WhatsApp mund të jetë konfidencial, por The Albanian Files është gjëja më e afërt me të. Është një dokument i jashtëzakonshëm, si për arsyet që synohen, ashtu edhe për ato që nuk synohen. Në parathënie, Rama e përshkruan librin si “një dëshmi të çmuar nga prapaskenat” të një procesi që, sipas tij, “po e ngre Shqipërinë në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar”. Është një katalog befasues vizionesh, ku 60 studio ndërkombëtare arkitekture — dhe asnjë shqiptare — paraqesin planet e tyre për më shumë se 500 projekte në të gjithë vendin.
Për kritikët e Ramës, megjithatë, libri është një dosje provash prej 800 faqesh dhe 2.2 kilogramësh. Ata ngrenë shqetësime për mungesën e transparencës në vendimmarrje, shkatërrimin e trashëgimisë, dëbimet me forcë, cenimin e peizazheve të mbrojtura dhe rolin e industrisë së ndërtimit në Shqipëri në pastrimin e parave të krimit të organizuar. Botimi është i mbushur me dëshmi të drejtpërdrejta të arkitektëve për përvojat e tyre dhe një deputet i opozitës e ka quajtur atë “provën komprometuese” — megjithëse nuk ka asnjë pretendim se arkitektët janë përfshirë në ndonjë shkelje. Rama ka të drejtë kur thotë se askush nuk e kishte parashikuar: shumica e projekteve të paraqitura në libër janë të panjohura për publikun vendas, i cili ka reaguar me zemërim.

“Arkitektë-yje, largohuni!”, shkruhej në një prej pankartave gjatë një proteste të zhurmshme në qershor, jashtë një aktiviteti në Tiranë, ku shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër ishin mbledhur për një event ekskluziv për të prezantuar punën e tyre dhe për të hedhur në qarkullim botimin.
“Ku është publiku?”, shkruhej në një tjetër pankartë.
Biletat për festivalin e arkitekturës, me titull Landscapes of Abundance, kushtonin deri në 200 euro, në një vend ku paga mujore mediane është 700 euro.
Aktiviteti u zhvillua në një moment veçanërisht të tensionuar, vetëm pak javë pasi protesta të mëdha kombëtare ishin nxitur nga planet shumë miliardë dollarëshe për zhvillimin e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe ishullit të afërt të Sazanit në një resort luksoz, projekt i mbështetur nga familja Trump.
Protestat, të quajtura “revolucioni i flamingove”, duke iu referuar habitateve të brishta që kritikët thonë se rrezikojnë të dëmtohen nga projekti, kanë vijuar tashmë për më shumë se 120 ditë, ndërsa thirrjet për dorëheqjen e Ramës janë bërë gjithnjë e më të forta.
Arkitektura, në mënyrë të papritur, është gjendur në qendër të përplasjes.
“Duket sikur jetojmë në një mbretëri autokratike”, thotë Lorin Kadiu, drejtor i Citizens.al, një platformë investigative që ndjek projektet e ndërtimit në Shqipëri që prej vitit 2018. “Nuk është vetëm mungesa e transparencës, por fakti që të gjithë duhet t’i nënshtrohemi shijeve estetike të një personi. I gjithë vendi duhet të pikturohet sipas mënyrës që ai dëshiron.”
Rama, i formuar si piktor, u bë fillimisht i njohur si kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 2000, kur tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare me programin për të lyer pallatet gri të periudhës socialiste me një gamë të ndezur ngjyrash. Ndërhyrja, e lirë dhe me efekt të menjëhershëm vizual, funksionoi dhe Rama u vlerësua për qasjen e tij jokonvencionale artistike.
Por sot, shumë nga mbështetësit e tij të dikurshëm mendojnë se ambiciet arkitekturore kanë shkuar shumë larg. Një letër e hapur, e shpërndarë gjatë protestave, denonconte “zbukurimin artistik të politikës së buldozerëve” dhe i pyeste arkitektët e pranishëm nëse e shijonin “lirinë për të bërë këtu atë që në vendet tuaja do të ndalohej, kundërshtohej ose do të bëhej e pamundur në forma të tjera”.
“Vetëm një nga arkitektët e kontaktuar nga The Guardian u përgjigj, duke thënë se në Shqipëri nuk realizojnë asgjë që nuk do t’u lejohej edhe në vende të tjera. Megjithatë, ai pranoi se liria më e madhe që ofron Shqipëria është joshëse dhe se, për këtë arsye, përgjegjësia personale e arkitektit bëhet edhe më e madhe.”
Siç shkruan Rama në mënyrë të drejtpërdrejtë në parathënien e The Albanian Files, arkitektët tërhiqen për të punuar në Shqipëri nga “liria nga ‘jo’-ja, në të gjitha format e saj”.
Faqet e librit janë të mbushura me vizione për brigje ende të paprekura, pyje të gjelbëruara, duna dhe laguna të ruajtura. Në Gjipe, një gji që shumëkush e konsideron si plazhin e fundit të virgjër në jug të Shqipërisë, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel prej xhami të pasqyruar që do të shtrihej mbi grykë, “si një xhevahir në vijën bregdetare”.

Projekti vjen menjëherë pas kullës së tyre të banimit në Tiranë, e konceptuar në formën e kokës së Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë, e cila, sipas autorit, ka gjithashtu një ngjashmëri të dukshme me Ramën.
Në zonën e mbrojtur të dunave të Ranës së Hedhun, arkitekti i njohur portugez Álvaro Siza ka hartuar një masterplan për zhvillimin e shpatit, me teleferik dhe një kullë shumëkatëshe në plazh.
Pak faqe më tej, arkitekti zviceran Valerio Olgiati propozon një grup kullash betoni që ngrihen nga rëra, të mbushura me dritare me pamje mbrojtëse. Pamja të krijon përshtypjen sikur godina janë projektuar për t’i bërë ballë një pushtimi nga deti.
Transformimi luksoz i bregdetit vazhdon me projektuesin fiorentin të jahteve luksoze, Luca Dini, motoja e studios së të cilit është “të mahnisë edhe klientët më kërkues”.
Ai prezanton një udhëtim të ilustruar përmes 17 projekteve të tij, mes tyre kompleksi Life Marina, që shtrihet në shtatë kilometra vijë bregdetare të paprekur pranë Sarandës, si edhe resorti Atara, me një “kurorë” të artë që qëndron mbi shkëmbinj si një tjetër pikë vrojtimi ushtarake.
Prezantimi thuajse arrin në nivel parodie kur ilustrimet në stil vizatimor mbyllen me pamjen e një superjahti që fluturon mbi horizontin urban, ndërsa vetë projektuesi deklaron nga kuverta: “[ne] krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin”.
Redaktorja e librit, Anneke Abhelakh, u kërkoi arkitektëve që tekstet shpjeguese t’i shkruanin vetë dhe sinqeriteti i tyre bie në sy. Në disa raste, libri lexohet pothuajse si transkriptimi i një bisede të kapur pa e ditur se mikrofoni është i hapur.
“Meqë nuk ka shumë rregulla dhe klientëve të mi u intereson shumë pak konteksti,” shkruan arkitekti me bazë në Berlin, Sam Chermayeff, “jemi të detyruar t’i mendojmë vetë deri në fund vlerat tona.”
Ai rrëfen përvojën “vërtet të egër” të punës në Shqipëri, përfshirë mënyrën se si, krejt papritur, e telefonoi një bashkëpunëtor i Ramës dhe pak më vonë iu kërkua të projektonte dy kulla në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej 45 mijë metrash katrorë. Një porosi jo e vogël për një projektues më të njohur për kuzhinat eksperimentale.
“Sigurisht që pranova,” shton ai, “pa e kuptuar mirë se çfarë po ndodhte.”
I kontaktuar për koment, Chermayeff tha: “Klientëve shqiptarë u bëj të njëjtat pyetje që u bëj klientëve në çdo vend tjetër dhe marr po aq garanci.” Ai shtoi se “ashtu si në Gjermani apo në SHBA, në të vërtetë nuk di më shumë sesa ajo që më thuhet”, dhe se nuk punon në zona të mbrojtura apo pranë tyre.
“Unë nuk bëj asgjë,” shtoi ai, “që nuk do ta bëja edhe diku tjetër.”
Arkitekti austriak Chris Precht përshkruan se si vetë Rama e kontaktoi përmes Instagramit, “duke më pyetur nëse do të isha i interesuar të punoja në Shqipëri”. Sot, ai ka 29 projekte në vend, mes tyre edhe një “Kopsht të Edenit” me vlerë 4 milionë euro, të ndërtuar në oborrin e zyrës së Kryeministrit.
“Është një realitet i paimagjinueshëm,” thotë grupi i arkitektëve dhe urbanistëve shqiptarë “Arkitektët Shqiptarë”, i cili ka krijuar një databazë online me të gjitha projektet, të publikuara në shqip, ndryshe nga libri.
“Një grup i ngushtë arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e Kryeministrit dhe merr projekte pa një procedurë konkurruese.”
Arkitektët e huaj e përshkruajnë ndryshe situatën. “Rama nuk i emëron kurrë vetë arkitektët,” më thotë një anëtar i grupit ArchArmy. “Por ai i prezanton me zhvilluesit. Dhe kuptohet se, nëse ata zgjedhin një nga arkitektët e tij, atëherë [zhvilluesit] do të marrin leje për të ndërtuar atë që duan.”
Rama i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Në një intervistë të tensionuar për CNN në qershor, ai i cilësoi pretendimet për korrupsion si “lajme të rreme”. Prej kohësh ai ka deklaruar se protestat më të gjera janë nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan, përfshirë Iranin. “Po të mos ishte Jared Kushner,” tha ai, “askujt nuk do t’i bëhej vonë për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është e gjithë urrejtja ndaj Trump që krijon gjithë këtë vëmendje.”
E kontaktuar nga The Guardian, zyra e Kryeministrit nuk iu përgjigj në mënyrë të detajuar kërkesave për koment, por i cilësoi pretendimet si “thashetheme” dhe “vlerësime të hidhura”. Gjatë një fjalimi këtë javë, në hapjen e konkursit për një kullë të re, Rama këmbënguli se juritë e konkurseve përbëhen “kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë që janë plotësisht të lirë”, se “pala shqiptare është në pakicë” dhe se “nuk ka asnjëherë orientim apo ndikim” mbi jurinë.
Ai shtoi se sot Shqipëria “është universiteti më i madh i hapur i arkitekturës”, pasi arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësinë “të takohen, të ndjekin dhe të punojnë konkretisht me mjeshtra”.
Nëntitulli i librit është Freedom and Architecture — “Liria dhe Arkitektura” — dhe shumë prej projekteve përcjellin ndjesinë se arkitektëve u është dhënë pothuajse dorë e lirë.
“Të punosh si arkitekt në Shqipëri është çliruese,” shkruan belgu Xaveer De Geyter, krahas propozimit të tij për tri kulla gjigante në formën e shkronjës M në portin e Sarandës, “duke krijuar një shkallë lirie që ndonjëherë na nxjerr djersë të ftohta”.
Studioja spanjolle Arquitectura-G e vlerëson procesin e lejeve në Shqipëri si “ndjeshëm më të shpejtë dhe më pak kufizues” se në vende të tjera, të nxitur nga “një vizion i qartë që vjen nga Kryeministri”.
Portugezi Manuel Aires Mateus shprehet në të njëjtën linjë: “Ka raste kur gjërat duhet të vijnë nga lart-poshtë.”
Entuziazmi për mundësinë e ndërtimit në territore ende të paprekura është po aq i dukshëm. Arkitekti i njohur japonez Kengo Kuma përshkruan emocionin e fluturimit me helikopter mbi Shqipëri.
“M’u duk shumë emocionuese,” shkruan ai, “sepse pjesa më e madhe e natyrës është e paprekur”. Në Azi, shton ai, “është shumë e vështirë të gjesh një projekt në një ‘tokë kaq të virgjër’”.
Arkitektja indiane me bazë në Berlin, Anupama Kundoo, flet për mundësinë për të krijuar “pa barrën” e Europës dhe të vendeve të tjera “të zhvilluara”.
Kundoo po punon për një masterplan për një “vendbanim-laborator” me 50 mijë banorë në Parkun Kombëtar të mbrojtur Divjakë-Karavasta.

Sipas artikullit, një projekt i tillë është bërë i mundur vetëm falë një ligji të debatueshëm të vitit 2024, i cili lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura. Nga ky ligj përfiton edhe projekti në Zvërnec, i mbështetur nga familja Trump.
Artikulli thekson se nuk ka asnjë pretendim që ndonjë prej arkitektëve të përmendur në të të ketë shkelur ligjin.
“Zhvilluesit janë me nxitim,” thotë Kadiu. “Ka një garë për të ndërtuar sa më shumë të jetë e mundur përpara se këto ligje të shfuqizohen.”
Presioni ndërkohë po rritet. Shqipëria ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësimin në BE, por këto rregulla të lehta mbeten pengesë. Si ligji i vitit 2024, ashtu edhe legjislacioni i vitit 2015, që u jep trajtim preferencial “investitorëve strategjikë”, u kritikuan në një raport të BE-së vitin e kaluar si në kundërshtim me standardet e saj.
Një rezolutë e Parlamentit Europian në qershor të këtij viti “shprehu shqetësime serioze” dhe kërkoi “një moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore” brenda zonave të mbrojtura.
Rama vazhdon t’i mbrojë të dy ligjet si politika pragmatike modernizuese, që synojnë të balancojnë ruajtjen e mjedisit me zhvillimin ekonomik me vlerë të lartë.
Përtej shqetësimeve për mjedisin dhe proceseve jo transparente të lejeve dhe prokurimeve, mbetet edhe një tjetër pyetje e madhe: si mundet një nga vendet më të varfra të Europës të financojë projekte kaq luksoze?
Çmimet e pronave janë rritur në mënyrë marramendëse, por pa një rritje të krahasueshme të pagave apo të kredive hipotekore të dhëna nga bankat, çka ka shtyrë kritikët të dyshojnë për përfshirjen e parave me origjinë të dyshimtë.
Global Initiative Against Transnational Organized Crime identifikon sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit në Shqipëri si fusha kryesore të pastrimit të parave, duke theksuar se sektori i ndërtimit është “i infiltruar gjerësisht nga fonde të paligjshme”.
Në një raport të vitit 2020, organizata vlerësonte se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes tregut shqiptar të pasurive të paluajtshme në tri vitet e mëparshme.
Siç kam raportuar në vitin 2022, përgjime të rrjedhura në media tregonin anëtarë të mafies italiane duke diskutuar se bumi i kullave në Tiranë përbënte një mundësi të mirë për pastrimin e parave, pasi kostot e ndërtimit prej rreth 500 eurosh për metër katror ishin shumë më të ulëta se çmimet e shitjes, që arrinin deri në 4 mijë euro për metër katror.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ndërkohë po shënon përparim. Në qershor, ajo sekuestroi asete me vlerë 150 milionë euro, përfshirë apartamente, vila dhe prona tregtare, të lidhura me një rrjet të dyshuar të trafikut të kokainës.
Po atë muaj, Pëllumb Gjoka, i shpallur më parë “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare dhe me miratim për të ndërtuar një resort me vlerë 52 milionë euro në bregdet, u dënua me burg për urdhërimin e vrasjeve të lidhura me krimin e organizuar.
Hulumtimi i Citizens.al tregon se disa nga projektet e përfshira në The Albanian Files lidhen me hetime në vijim të SPAK-ut — asnjë nga arkitektët e përmendur në këtë artikull nuk është i implikuar — ku dyshohet se kapital me origjinë kriminale është kanalizuar përmes kompanive guaskë, kontratave të ndërtimit dhe transaksioneve të pasurive të paluajtshme.
Mbi 40% e projekteve në libër nuk përmendin fare se kush është klienti, duke ngritur për shumëkënd të njëjtën pyetje: pse kjo mungesë transparence?
Një ish-anëtar i grupit ArchArmy shprehet me keqardhje për mënyrën se si kanë rrjedhur gjërat.
“Si të tjerët, edhe unë u përfshiva me bindjen e sinqertë se kjo mund të sillte një ndryshim pozitiv për vendin,” më thotë ai. “Rama e dinte se Shqipëria do të zhvillohej shumë shpejt dhe nuk donte që ky zhvillim të bëhej keq. Është më mirë të përfshihen disa arkitektë të mirë, për të siguruar që rezultati të jetë të paktën i pranueshëm, sesa të ndërtohen pa asnjë kontroll pallate të zakonshme përgjatë bregdetit.”
Arkitekti thotë se vendosi të tërhiqej pasi kishte qenë pjesë e një jurie konkursi që “nuk të krijonte përshtypjen e një procesi demokratik”, si dhe për shkak se çështjet e pronësisë mbi tokën “mbeteshin gjithmonë shumë të paqarta”.
Ai shton: “Rama vazhdon të besojë fort se po bën gjënë e duhur për vendin. Është një shembull klasik i asaj që ndodh kur mendon se je një udhëheqës dashamirës, por qëndron në pushtet për një kohë shumë të gjatë.”
E njëjta ndjesi shfaqet edhe në një nga kontributet më domethënëse të librit. Reinier de Graaf, nga studioja holandeze OMA, i shkruan Ramës një letër të hapur — e menduar si parodi, edhe pse humori në të është i diskutueshëm.
“Duke pasur parasysh rolin e vazhdueshëm të Shqipërisë si një mbështetëse e ndriçuar e arkitekturës,” shkruan ai, “profesioni ynë do të përfitonte jashtëzakonisht shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju… thjesht do të vazhdonit si president i përjetshëm — ndoshta edhe si mbret.”
Ai shton:
“Në një botë autokracish, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës dhe me shije?”