Akuzat e Arben Ahmetajt për trafik armësh, SPAK kontrolle në banesën e biznesmenit izraelit Ron Yeffet

SPAK ka zhvilluar kontrolle në banesën e biznesmenit izraelit, Ron Yeffet, e cila ndodhet në periferi të Tiranës.

Burime për mediat bëjnë me dije se kontrolli është kryer në kuadër të verifikimeve që po zhvillohen nga Prokuroria e Posaçme.

Disa javë më parë, SPAK kishte drejtuar një kërkesë për vënien në dispozicion të audio-përgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ky i fundit ngre dyshime për një skemë të trafikimit të armëve.

SPAK ia ka drejtuar kërkesën Syri TV, ku u bënë fillimisht publike përgjimet nga ish-numri 2 i qeverisë, Arben Ahmetaj.

Materialet e kërkuara nga hetuesit lidhen drejtpërdrejt me regjistrimet ku përmendet biznesmeni izraelit Ron Yeffet dhe lidhjet e tij me kompaninë “Timak”.

Kujtojmë se biznesmeni izraelit është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes. Ndër to janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.