E kemi dëgjuar shpesh kryeministrin Edi Rama t’u japë leksione deputetëve të tij në mbledhjet e grupit, ku ua ka bërë të qartë se edhe do të dënohen nëse do të bëjnë punësime në konflikt interesi.
Por, kur vjen puna për të firmosur për kulla apo investime strategjike për të njëjtët deputetë, kreut të qeverisë nuk i dridhet dora fare.
Kjo ka ndodhur edhe pak ditë më parë, me Ramën që ka firmosur lejen e ndërtimit për objektin “Strukturë, hoteleri, banim dhe shërbime ‘Feneri i Pogradecit’, me 7, 10, dhe 23 kate mbi tokë dhe 1 kat nëntokë’, me vendndodhje në Bashkinë Pogradec, me subjekt zhvillues shoqërinë “Molos” sh.p.k.
“Kompania ndërtuese e kullës është Molos shpk. Ajo zotërohet nga deputeti socialist Bledi Çomo dhe vëllai i tij Genci Çomo.
Në shtator të vitit të kaluar, pasi u zgjodh deputet, Bledi Çomo hoqi dorë nga zotërimi aktiv i kuotave të tij duke caktuar një shtetas të quajtur Kristi Kokoneshi si person të besuar. Kjo është një manovër fiktive, që diktohet nga Kushtetuta, e cila nuk i lejon deputetët të marrin asete, liçenca apo leje publike.
Por zotërimi pasiv nuk heq pronësinë. Pronari i Molos vazhdon të jetë Bledi Çomo. Me pak fjalë, Edi Rama i dha leje deputetit të tij të Pogradecit për të ngritur një përbindësh betoni 23 kate në zemër të qytetit”, raporton Kapitali.al.

Për sa i përket Bledi Çomos, deputetit socialist që do të ketë kullën e tij në mes të Pogradecit, rrallë është dëgjuar të flasë për problemet e qytetarëve që përfaqëson.
Por kjo ka pak rëndësi, pasi ai e mori lejen nga shefi i tij, teksa tashmë do të vijojë të ngrejë kartonin për çdo projektligj të sjellë në Kuvend nga qeveria, ashtu siç ka bërë gjatë 1 viti qëndrim në Kuvend.