Apeli i Posaçëm lë në “arrest shtëpie” Sali Berishën

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë nën masë sigurie “arrest në shtëpi” ish-kryeministrin Sali Berisha.

Vendimi u dha mëngjesin e sotëm nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, pas ankimimit që avokatët e Berishës kishin bërë ndaj vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë.

Avokati i tij, Genc Gjokutaj, u shpreh se ky ishte një vendim politik, pasi qëllimi është që ish-kryeministri të izolohet.

“U dekriptua qëllimi politik i mbajtjes. Nuk ka rëndësi nëse ish- kryeministri paraqitet apo është në dispozicion të hetimit. Qëllimi është që ai të izolohet.. Gjykata nuk është shprehur gjithashtu mbi kërkesën për përjashtimin që kemi ankimuar. Beteja vazhdon”, tha Gjokutaj.

Sali Berisha u paraqit për herë të parë në SPAK dy ditë më parë, ku u pyet si i pandehur në lidhje me privatizimin e kompleksit Partizani, pasi akuzohet për korrupsion pasiv.

Ish-kryeministri qëndroi në SPAK rreth 1 orë e 30 minuta, por sipas burimeve nga Prokuroria e Posaçme për Media Ditarin, marrja në pyetje e tij zgjati më pak se sa ishte parashikuar, për shkak të tensionimit të situatës mes tij dhe prokurorëve.

Pasi doli nga ambientet e SPAK, Berisha u ndal të flasë për mediat për më shumë se 20 minuta, duke treguar se çfarë kishte folur me prokurorët e posaçëm. Ai deklaroi se kishte gjetur në SPAK një atmosferë mortore, teksa tha se u kishte thënë prokurorëve se ishte paraqitur në Prokurorinë e Posaçme për të rrëzuar piramidën e tyre të mashtrimeve dhe grupin e tyre të strukturuar kriminal me Edi Ramën.

Berisha nuk i kurseu akuzat ndaj kryeministrit Rama dhe prokurorëve që e morën në pyetje, ndërkohë që tha duke qeshur se në sallë nuk u mor vesh se cili drejtoi më shumë pyetje ai prokurorëve apo prokurorët atij.

VENDIMI
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 25.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 27 akti, datë 16.01.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim/ankues S.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 520, datë 30.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit personal) dhe vendimit nr. 521, datë 27.12.2023 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi:

Miratimin e nr. 520, datë 30.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.