Apeli i GJKKO-së lë në fuqi vendimin për Ballukun, nuk shqyrtohet masa e pezullimit nga detyra

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë të ndalimit të daljes jashtë shtetit të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për tunelin e LLogarasë dhe Unazën e Madhe. Ndërkohë nuk ka shqyrtuar masën e sigurisë së pezullimit nga detyra të caktuar ndaj Ballukut, derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Gjatë seancës, dy prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bejko paraqiten prova të reja të cilat sipas tyre, rëndojnë pozitën penale të Ballukut.

Ndërkohë në arrest shtëpie do vijojnë të qëndrojnë dy vartësit e saj, kreu i ARRSH, Gentjan Gjyli dhe ai i KESH, Erald Elezi.

Belinda Balluku është marrë zyrtarisht e pandehur në 31 tetor 2025 dhe akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “shkeljen e barazisë në tendera e ankande publikë” e kryer në bashkëpunim, në procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe. Këto dy afera i kanë kushtuar buxhetit të shteti qindra milionë euro.

GJKKO e pezulloi nga detyra dhe i sekuestroi pasaportën, duke e ndaluar të dalë jashtë vendit, ndërkohë që ishte Gjykata Kushtetuese pas ankimimit të qeverisë që e riktheu në detyrë, teksa shqyrtimi i plotë i çështjes do të bëhet në 22 Janar.

Njoftimi i plotë i Gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 18.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 86 akti, datë 11.12.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve B.B., G.Gj. dhe E.E., me objekt “Ankim ndaj vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

1. Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankimin e ankueses B.B.

2. Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses B.B. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë, me kërkues:

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë; (ii) shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases B.B. dhe pezullimin e këtij vendimi; (iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës”, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese ka disponuar me vendimin datë 12.12.2025: “Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases B.B., sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”.

3. Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankuesin E.E.

4. Miratimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, në lidhje me ankuesin G.Gj.