Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin. Ata akuzohen për dhunimin me sende të forta të Vladimir Bruçit për një vend parkimi në lagjen ‘Rus” në Shkodër.
Ata akuzohen veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.
Po ashtu Sakica dhe Troshani janë të dyshuar për përfshirjen e tyre në atentatin që ndodhi më 30 tetor 2024 në rrugën ‘Shkodër-Koplik’, ku u qëllua me breshëri automatiku drejt automjetit të Hamza Licit dhe Arlind Bushatit, të cilët si pasojë e plagëve humbën jetën.
Sakica dhe Troshani u vetëdorëzuan pranë autoriteteve në prani të avokatit mbrojtës, Sokol Tahiraj.