Një konvoj prej tetë tankerësh ka kaluar të shtunën në Ngushticën e Hormuzit, në lëvizjen e parë të madhe detare që nga nisja e luftës SHBA-Izrael kundër Iranit shtatë javë më parë. Megjithatë, Teherani ka sinjalizuar se rruga strategjike mund të mbyllet sërish, duke rritur pasigurinë në tregjet globale të energjisë.
Autoritetet iraniane njoftuan rikthimin e kontrolleve të rrepta ushtarake mbi këtë korridor jetik, përmes të cilit para luftës kalonte rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës. Ky zhvillim ka shtuar dyshimet nëse trafiku detar do të mund të vazhdojë normalisht.
Pak orë më herët, presidenti amerikan Donald Trump foli për lajme mjaft të mira lidhur me Iranin, pa dhënë detaje, por paralajmëroi se luftimet mund të rifillojnë nëse nuk arrihet një marrëveshje paqeje deri të mërkurën, kur përfundon armëpushimi dyjavor.
Sipas të dhënave të MarineTraffic, katër anije transportuese të gazit të lëngshëm dhe disa tankerë nafte e kimikatesh po kalonin në ujërat iraniane në jug të ishullit Larak, ndërsa anije të tjera po i ndiqnin nga Gjiri.
Irani kishte njoftuar rihapjen e përkohshme të Ngushticës së Hormuzit pas një armëpushimi 10-ditor të ndërmjetësuar nga SHBA mes Izraelit dhe Libanit. Por të shtunën, komanda e forcave të armatosura iraniane deklaroi se kalimi është rikthyer nën kontroll të rreptë ushtarak, duke akuzuar SHBA-në për shkelje të përsëritura dhe “akte piraterie”.
Zëdhënësi theksoi se Irani kishte lejuar më herët kalimin e kufizuar të tankerëve dhe anijeve tregtare “në mirëbesim”, por veprimet e vazhdueshme amerikane e kanë detyruar Teheranin të shtrëngojë sërish kontrollin mbi këtë pikë strategjike.
Lufta, e nisur më 28 shkurt me një sulm të përbashkët SHBA-Izrael ndaj Iranit, ka shkaktuar mijëra viktima dhe është zgjeruar edhe në Liban, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të naftës për shkak të bllokimit de facto të ngushticës.
Edhe pse ka nisur lëvizja e anijeve, mbetet e paqartë nëse do të rifillojnë bisedimet e drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit këtë fundjavë, apo nëse do të ketë përparim në çështjen e programit bërthamor iranian, një nga pikat më të nxehta të negociatave.
Trump deklaroi se SHBA po negocion me Iranin dhe shprehu optimizëm për ecurinë e bisedimeve, duke theksuar se prioritet mbetet ndalimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore. Megjithatë, ai paralajmëroi se armëpushimi mund të ndërpritet nëse nuk arrihet një marrëveshje afatgjatë deri të mërkurën, ndërsa bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të vazhdojë.
Presioni për një zgjidhje është rritur edhe për shkak të faktorëve të brendshëm politikë në SHBA, përfshirë çmimet e larta të karburanteve dhe inflacionin.
Burime diplomatike shprehen skeptike për zhvillimin e bisedimeve këtë fundjavë në Islamabad, ku pritej të zhvilloheshin takimet, ndërsa nuk ka pasur shenja përgatitjesh në kryeqytetin pakistanez.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, paralajmëroi se Ngushtica e Hormuzit “nuk do të mbetet e hapur” nëse vazhdon bllokada amerikane. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm Abbas Araqchi kishte deklaruar se rruga detare do të mbetet e hapur për anijet tregtare gjatë periudhës së armëpushimit 10-ditor.
Mospajtimet për programin bërthamor iranian vijojnë të mbeten pengesë kryesore. SHBA kërkon heqjen e rezervave të uraniumit të pasuruar, ndërsa Irani kundërshton çdo transferim të materialit.
Megjithatë, burime iraniane kanë lënë të kuptohet se një marrëveshje paraprake mund të arrihet në ditët në vijim, me synimin për një marrëveshje të plotë paqeje brenda 60 ditësh.
Ndërkohë, tregjet reaguan pozitivisht: çmimet e naftës ranë me rreth 10% dhe bursat globale u rritën, mes shpresave për rifillimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.