Ka nisur këtë të mërkurë zbatimi i ligjit për amnistinë penale, i cili pritet të prekë mbi 1300 persona të dënuar. Vetëm gjatë ditës së sotme do të lirohen 541 të burgosur, ndërsa pjesa tjetër do të përfitojë sipas kritereve të përcaktuara në ligj.
Amnistia u miratua nga Kuvendi më 18 qershor me 84 vota pro dhe u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj më 30 qershor, duke hyrë tashmë në fuqi. Përfitues janë personat që kanë marrë një vendim të formës së prerë deri më 31 maj, edhe në rastet kur vendimi i Gjykatës së Apelit nuk është zbardhur ende.
Ligji parashikon lirimin e burrave të dënuar me deri në tre vite burg ose me masa alternative, si dhe të grave të dënuara me deri në katër vite burg. Po ashtu, përfitojnë edhe të burgosurit që kanë mbetur me deri në tre vite dënim për burrat dhe deri në katër vite për gratë.
Në kategoritë përfituese përfshihen edhe burrat mbi 60 vjeç, gratë mbi 50 vjeç, si dhe personat që kanë qenë nën moshën 18 vjeç në momentin e kryerjes së veprës penale, përveç rasteve kur janë dënuar për vepra që përjashtohen shprehimisht nga amnistia.
Mes emrave që përfitojnë nga ky ligj është edhe Rozeta Dobi, e dënuar në çështjen e njohur që lidhej me ish-zyrtaren Alda Klosi.
Nga amnistia janë përjashtuar autorët e krimeve të rënda, përfshirë vrasjet me dashje, krimet kundër njerëzimit, veprat seksuale, trafikimin e qenieve njerëzore dhe një sërë veprash të tjera me rrezikshmëri të lartë. Gjithashtu, nuk përfitojnë personat që kanë shmangur ekzekutimin e drejtësisë apo janë në arrati.
Jashtë skemës së amnistisë mbeten edhe të gjithë të dënuarit për çështje që janë në juridiksionin e SPAK ose që kanë marrë vendim nga GJKKO, pavarësisht natyrës së veprës penale.
Përveç lirimeve nga burgu, ligji parashikon edhe faljen e ndjekjes penale për disa kundërvajtje dhe vepra penale me rrezikshmëri të ulët, sipas kushteve të përcaktuara në aktin ligjor.