Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato tha sot se lufta ndaj krimit dhe korrupsionit është në zemër të bisedimeve me BE. Pas një takimi me kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi, Gonzato tha se BE është këtu për të mbështetur Shqipërinë, jo për të ndërhyrë në proceset zgjedhore, duke ju referuar një lajmi që qarkulloi dje në disa portale ku pretendohej se ai kishte ndërhyrë për të hequr emra nga raporti paraprak zgjedhor i OSBE/ODIHR.
“Unë nuk bëj deklarata para zgjedhjeve. Kemi besim te ODIHR dhe ka një mision të rëndësishëm këtu. Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është në zemër të negociatave. SPAK ka një detyrë të rëndësishme. BE është këtu për të mbështetur Shqipërinë, jo të ndërhyjmë në procese. Nuk jemi këtu për të manipuluar asgjë”- u shpreh Gonzato.
Ndërkohë i pyetur për kontratën e lobimit 6 milionë dollarë të Partisë Demokratike në SHBA, ambasadori i BE-së nuk ka pranuar të komentojë.
“Nuk bëj komente. Do të pres autoritetet kompetente”, ka deklaruar ambasadori i BE në një komunikim me gazetarët.