Ambasadorët në takimet e Ramës me diasporën, Bardhi mesazh Presidentit Begaj: Po cënohet barazia e palëve në zgjedhje

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me praninë e ambasadorëve në takimet që kreu i qeverisë Edi Rama po zhvillon me diasporën.

Bardhi shprehet se i është drejtuar zyrtarisht Presidentit Bajram Begaj që që të ndërhyj për të mos lejuar cënimim e rëndë të barazisë së palëve në zgjedhje dhe parimeve themelore që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Po ashtu, Bardhi shprehet se ka depozituar në SPAK edhe kërkesën për hetimin dhe ndjekjen penale të Edi Ramës, ministrave Taulant Balla, Igli Hasani dhe ambasadorëve të konstatuar në takimet e Ramës me diasporën.

“Sot i jam drejtuar zyrtarisht Presidentit që të ndërhyj për të mos lejuar cënimim e rëndë të barazisë së palëve në zgjedhje dhe parimeve themelore që garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Presidenti nuk duhet të hesht, por duhet të ngrihet në lartësinë e detyrës!

Heshtja dhe mungesa e reagimit të Presidentit për veprimin kriminal të mazhoranës qeverisëse dhe Trupit Diplomatik, perceptohet si mesazh i qartë që ai e mbështet këtë aktivitet të paligjshëm, dhe mbi të gjitha mbështet shkrirjen në një të shtetit dhe partisë në zgjedhje.

Po sot kam depozituar në SPAK edhe kërkesën për hetimim dhe ndjekjen penale ndaj Edi Ramës, Taulant Ballës, Igli Hasanit, dhe Ambasadorëve të konstatuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a të Kodit Penal”- shkruan Bardhi në reagimin e tij.