Altin Dumani flet para studentëve: SPAK është përballur edhe me struktura kriminale të fuqishme dhe me lidhje politike

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka folur përpara studentëve të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Ai u shpreh se SPAK ka dhënë shenja që mund të luftojë edhe organizatat kriminale të fuqishme dhe me lidhje politike, teksa shtoi se puna e prokurorëve është e lodhshme dhe stresuese, por që të gjithë po mundohen të vendosin drejtësi.

Sipas tij, dy fenomenet më shqetësuese janë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Dumani tha se SPAK është një strukturë e pavarur nga politika dhe nga institucionet e tjera, por pavarësisht të gjithave, në fund të ditës gjithçka varet nga integriteti i prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Pjesë nga fjala e Altin Dumanit përpara studentëve:

SPAK në muajin dhjetor bën 4 vjet, por SPAK është bërë funksional vetëm vitin e kaluar për shkak se organika u bë e mundur të jetë e plotë. Në SPAK i kushtohet vëmendje integritetit. Duhet të kesh disa vlera jo vetëm profesionale, por duhet të kesh demonstruar integritet. Tek ne, si prokuror, i nënshtrohemi jo vetëm Vetingut, por kemi hequr dorë edhe nga privatësia, bashkë me familjarët tanë. E njëjta gjë vlen edhe për BKH; madje, ata kalojnë edhe një tjetër provë, testin e poligrafit, makina e të vërtetës.

Mirë ka bërë ligjvënësi që ka parashikuar gjithë këto kritere. Jemi përpjekur që të kemi njerëz me integritet në SPAK. Kemi dhënë shenja që SPAK është në gjendje të hetojë subjekte të ndryshme, pavarësisht fuqisë së tyre politike dhe ekonomike. SPAK heton edhe krimin dhe terrorizmin dhe jemi përballur edhe me struktura kriminale, pavarësisht sa fuqi kanë apo lidhjet e tyre me politikën. Jemi përditë në këtë luftë, ajo është e vazhdueshme.

Për të folur për suksese, duhet të presim edhe vendimet e gjykatave të formës së prerë. Çdo ditë hetojmë dhe presim vendime fajesie nga gjykatat. Është punë e përditshme, stresuese, e lodhshme, por në fund të ditës, kur shikon që po mundohemi të thyem mitin e pandëshkueshmërisë, atëherë ndjehesh mirë. Është e lodhshme, por jo e pamundur. Kjo është bërë falë edhe ndryshimit të metodologjisë së punës në prokurorinë e posaçme. Disa metoda që përdoren tani janë përdorur rrallë dhe tani përdoren masivisht si mjetet e kërkimit të provës dhe kemi ndryshuar edhe filozofinë e kërkimit të provës, duke hequr dorë nga ato tradicionalet.

Kemi investuar shumë edhe në teknologji, sepse këto mjetet kërkimi nuk mund të jenë të suksesshme nëse nuk ke mjetet e teknologjisë. Duhet edhe një buxhet i mirë dhe deri tani jemi financuar mirë nga buxheti i shtetit, por po përdorim edhe të ardhurat, pasuritë e konfiskuara nga krimi që kapin miliona euro, dhe të gjitha i kemi investuar në teknologji, duke sjellë rezultate konkrete.

Për të qenë të suksesshëm në luftën kundër krimit, duhet të kesh një legjislacion të mirë dhe është i mirë të kesh struktura të specializuara kundër luftës kriminale dhe korrupsionit. Dy fenomenet më shqetësuese janë korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe struktura speciale është SPAK për t’i luftuar. Tjetra është të krijosh edhe pavarësinë dhe sa i përket pavarësisë, sigurohet nga kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Ju them me siguri se kemi pavarësi totale nga pushtetet e tjera. Nuk kemi marrëdhënie kontrolluese nga institucionet e tjera. Pavarësisht të gjitha këtyre, në fund të ditës, gjithçka varet nga integriteti i prokurorit dhe gjyqtarëve, gjithçka varet tek integriteti i secilit aktor. Mund të jesh i pavarur, por mund të zgjedhësh të filtrosh me pushtetin apo politikën. Vetëm ata me integritet mund t’i rezistojnë joshjes dhe presionit të pushtetit.