Kryeministri Edi Rama ka reaguar në platformën “X” (ish-Twitter), për pranimin e Asocacionit për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka përgëzuar Kurtin për vendimin e marrë, teksa thotë se kjo ihhte një pikë kyçe në dialogun mes dy vendeve. Rama kërkon nga Kurti dhe Vuçiç të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve.
“Përgëzoj Kryeministrin e Kosovës për pranimin e propozimit të BE-së për të përparuar me vendosmëri drejt një zgjidhjeje zhbllokuese lidhur me AKSHS, përmes instrumenteve të vetëmenaxhimit si një kuadër për negociatat vijuese. Kjo është një pikë vërtetë kyçe. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë duhet të tregojnë lidership dhe të punojnë ngushtësisht, pa asnjë vonesë të mëtejshme, me aleatët perëndimorë të rajonit për të zbatuar menjëherë Marrëveshjen Bazë mbi normalizimin e marrëdhënieve. Rajoni ynë meriton paqe, stabilitet dhe bashkëpunim për një të ardhme të përbashkët më të mirë, dhe jo konflikte, lojëra fajësimi dhe prapakthime që na dëmtojnë të gjithëve”, shkruan Rama.