Edhe pse Gjykata Speciale kishte urdhëruar Albin Kurtin që të paraqitej në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshminë e tij për çështjen e rezervave të shtetit, kryeministri i Kosovës nuk është paraqitur.
Mësohet se Albin Kurti teksa në orën 10:00 duhej që të ishte në Prokurorinë Speciale, ka qenë në një aktivitet në Gjilan.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar ditë më parë se ka lëshuar urdhër që detyron Kurtin të japë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit në një rast që ka të bëjë me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, pasi kryeministri nuk është paraqitur në dy ftesa që ia ka bërë Prokuroria në muajt e fundit.
Ndërkohë vetë kryeministri ka thënë disa herë se nuk i ka refuzuar ftesat, por insiston që dëshminë të japë në zyrën e tij në Kryeministri pasi sipas tij kështu është vepruar edhe më herët.
Kurti pretendon se Prokuroria ka marrë dëshmi në zyrën e kryeministrit edhe në të kaluarën – pa përmendur ndonjë emër – ndërsa refuzimin e tij për të shkuar në Prokurori e arsyeton duke thënë se nuk dëshiron të bëhet “lajm botëror” dhe të supozohet se kryeministri po dyshohet për një rast korrupsioni.