Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar pas kallëzimit në SPAK për korrupsion dhe pastrim parash nga Nesti Angoni, i cili ishte i njëjti personazh anonim që denoncoi në Prokurorinë e Posaçme, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në një reagim në rrjte sociale, Vokshi paralajmëron se askush nuk do t’i mbyllë gojën me shpifje dhe letra anonime.
Deputetja demokrate thotë se nuk do të heshtë dhe s’do të dorëzohet për të folur kundër korrupsionit, padrejtësive dhe abuzimit me pushtetin.
Në denoncimin e Nesti Angonit, të publikuar nga Report TV, përfshihen edhe bashkëjetuesi i deputetes, Arian Tartari dhe motra e saj Mimoza Vokshi, për të cilët Nesti Angoni thotë se kanë bashkëpunuar për të përfituar nga abuzimet me koncesionet në sektorin e naftës dhe disa privatizime në interes të tyre, në kohën kur Mimoza Vokshi ishte Drejtoreshë e Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë.
Reagimi i Albana Vokshit:
Nëse mendojnë se do të më mbyllin gojën me shpifje e letra anonime, gabohen!
Nëse mendojnë se do të më trembin me SPAK-un, gabohen!
Unë nuk hesht. Unë nuk dorëzohem. Do të flas edhe më fort!
Kundër korrupsionit.
Kundër padrejtësive.
Kundër abuzimit me pushtetin.
Ata, që këtë herë nuk guxuan as të dalin hapur, duhet ta mësojmë: Sa më shumë të më sulmojnë, aq më fort do të më dëgjojnë! As paraja, as Rama nuk i shpëton dot nga e vërteta!