Komandant Alban “Al” Dervishi, me origjinë nga Tirana, është emri më i ri në krye të anijes amfibe të Marinës Amerikane USS Pearl Harbor (LSD-52), ku më herët mbante postin e Zëvendëskomandantit (Executive Officer) që prej shkurtit 2024.
Pasi emigroi në Queens, New York, në ndjekje të ëndrrës amerikane, Dervishi iu bashkua Forcave të Armatosura të SHBA-së në vitin 2001, dhe në 2009 mori gradën e oficerit përmes Shkollës së Kandidatëve për Oficerë.
Ai ka përfunduar studime master në Marrëdhënie Ndërkombëtare me fokus në studimet evropiane dhe aleancën NATO, në bashkëpunim me Army Command and General Staff College dhe Webster University.
Gjatë karrierës së tij ushtarake, Dervishi ka shërbyer në disa nga operacionet më të rëndësishme të flotave amerikane në Lindjen e Mesme, Azi dhe Evropë, duke përfshirë:
- Operacionet ENDURING FREEDOM dhe IRAQI FREEDOM (2001–2004) në USS BATAAN
- Operacionin UNIFIED RESPONSE në USS CARTER HALL (2009–2012)
- Operacione në Flotën e 7-të dhe 6-të të SHBA-së, përfshirë misione në Detin Baltik, Detin e Zi dhe Mesdhe
- Misione të përbashkëta të NATO-s në Itali si pjesë e Komandës Detare të Komponentit Italian
Për profesionalizmin dhe kontributin e tij, Dervishi është dekoruar me Medaljen e Shërbimit të Merituar të Mbrojtjes, pesë Medalja të Lavdërimit nga Marina dhe Korpusi i Marinës, si dhe disa çmime dhe medalje të tjera për shërbim dhe operacione të suksesshme.
Komandant Alban Dervishi është një shembull frymëzues i suksesit të emigrantëve shqiptarë në SHBA dhe një figurë e rëndësishme që përfaqëson me dinjitet Shqipërinë në rangje të larta të ushtrisë amerikane.
Ambasada amerikane në Shqipëri ka përgëzuar Dervishin për rolin e tij të ri nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon Alban Dervishin për rolin e tij të ri si Komandant i USS Pearl Harbor! Ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës u zhvillua në San Diego javën e kaluar”, shkruan ambasada.