Akuzat e Veliajt, Rama tenton t’i injorojë: Të rëndësishme për mua sa zhurma e makinave në bulevard

Kryeministri Edi Rama është pyetur nga gazetarët në lidhje me akuzat e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj ndaj kreut të qeverisë, se ky i fundit e ka kërcënuar përmes ministrit të Drejtësisë Toni Gogu.

Në konfenrencën e përbashkët me ambasadoren e BE në Tiranë, Rama zgjodhi të mos ndalet gjatë te përplasja mes tyre, duke i cilësuar akuzat si të parëndësishme, duke i krahasuar akuzat e Veliajt me “zhurmat e makinave në bulevard”.

“Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju”- u përgjigj Rama.

Rama: Dua të them që raporti i progresit është, në radhë të parë, pasqyrë e punës së qeverisë dhe kush do të dijë se në çfarë forme është qeveria, lexon raportin e progresit dhe e ka aty dëftesën e qeverisë. Një dëftesë që mua më gëzon. Sepse është shumë e qartë që Shqipëria ka bërë një progres të madh, të cilin, për fat të keq, shqiptarët nuk e konstatojnë dot nga ekranet dhe kanalet e dezinformimit publik.

Qeveria është në krye të detyrës dhe vazhdon të punojë, siç e kam thënë edhe më parë, çdo ditë, me pikërisht këtë objektiv për të cilin jemi mbledhur sot në këtë konferencë. Objektivin historik të bashkimit të vendit tonë me Europën dhe moslejimin e humbjes së një mundësie historike që e kemi krijuar me shumë punë, por që është ndihmuar edhe nga rreshtimi i yjeve në favor të Shqipërisë.

Të tjerat janë si këto zhurmat e makinave që shkojnë e vijnë në bulevard. Aq sa janë ato të rëndësishme për ne që jemi këtu, aq janë të rëndësishme për mua ato që pyetët ju.