Tensione ka pasur sot në Theth pas ultimatumit të kryeministrit Edi Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë, ndërsa nuk munguan përlpasjet e forta mes policisë dhe banorëve.
Njëri prej banorëve ka shpërthyer në lot para kamerave duke thënë se ka ndërtuar 5 shtëpi prej druri në tokën e tij të trashëguar ndër vite, dhe se nuk ka bërë asnjë pëllëmbë.
Banori i Thethit tha se ka kërkuar leje për këto 5 shtëpi, por nuk u kanë dhënë. Me prishjen e këtyre shtëpizave, ai thotë se nuk kanë me çfarë të jetojnë.
“Të gjithë shpenzimet e jetës. Kam ndërtuar 5 shtëpia druri pa beton dhe asgjë në tokën time. Kemi kërkuar por thonë nuk ka leje, toka është e imja, është trashëgimtare brez pas brezi. Kërkojmë prej shtetit që të mos i prishë sepse dalim në rrugë të madhe. Veç me vdekur, nuk e di me çfarë ka me jetuar familja ime. Synojmë me na lënë shteti me jetuar. Vetë kanë thënë me investuar, unë nuk jam i ardhur por jam këtu. Toka është e jona 200 vjeçare. Ashtu siç kanë thënë kemi investuar, nuk ka asnjë pëllëmbë beton”, tha një prej banorëve të Thethit.