Aksidenti tragjik me 4 të vdekur në Tepelenë, arrestohet drejtuesi i “BMW-së”

Policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit “BMW”, të përfshirë në aksidentin tragjik që ndodhi dje në aksin Tepelenë-Memaliaj ku humbën jetën 4 persona dhe u plagosën dy të tjerë, pas përplasjes së tre makinave.

Sipas bluve, 46 vjeçari E.P, akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Në aksidentin tragjik të së dielës, humbën jetën Riza Rrapaj, Lavdosh Begaj, Lefteri Begaj dhe Afërdita Metaj ndërsa u plagosën Jani Meta dhe Lavdie Meta.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, si pasojë e të cilit humbën jetën 4 shtetas dhe u dëmtuan rëndë 2 të tjerë, specialistët për Trafikun Urban dhe Interurban arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit tip “BMË” të përfshirë në këtë aksident, shtetasin E. P., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.