Qëndresa Qytetare ka reaguar në lidhje me aksidentet ne vendin e punës që vazhdojnë të marrin jetën njerëzish në vend.
Rasti më i fundit u regjistrua sot, ku një punonjës i Bashkisë Elbasan vdiq në spital pasi u rrëzua nga vinçi teksa po riparonte llampat në shtyllat elektrike.
Qendresa Qytetare i kërkon autoriteteve zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë nëse janë shkelur rregullat e sigurisë teknike në punë.
Ndërkohë nënvizon se autoritetet duhet të shtojnë intensitetin e kontrolleve karshi institucioneve publike dhe private lidhur me zbatimin e kushteve të sigurisë teknike në punë.
Reagimi:
Puna nuk duhet të marë jetë, “pasiguria” në punë shkakton viktimën e radhës!
Një aksident në punë i kushtoi jetën 56 vjeçarit Eduart Balliu, punonjës i Bashkisë Elbasan.
Mesditën e kësaj të premte gjatë punës mbi vinç, për riparimin e llambave elektrike në shtyllat e ndriçimit, në lagjen “5 Maji”, për shkak të një defekti të vinçit, 56 vjeçari është rrëzuar dhe për pasojë është dëmtuar.
Eduart Balliu ka ndërruar jetë në spital 5 orë pas aksidentit në punë pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra.
Qendresa Qytetare së pari i shpreh ngushëllime familjes Balliu dhe i kërkon autoriteteve zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes dhe vënien e përgjegjësve përpara drejtësisë nëse janë shkelur rregullat e sigurisë teknike në punë.
Muajt e fundit aksidentet në punë kanë shkaktuar një bilanc tragjik viktimash, ku më i rëndi ishte ai në Lushnje i datës 1 Mars me 2 të vdekur dhe 7 të plagosur.
Autoritetet të shtojnë intensitetin e kontrolleve karshi institucioneve publike dhe private lidhur me zbatimin e kushteve të sigurisë teknike në punë.