Ajola Xoxa kërkon pezullim të gjykimit për 2 muaj: Kam lindur me cezarian, s’mund të komunikoj lirshëm me avokatin

Po mbahet në GJKKO seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortes së tij, dhe të pandehurve të tjerë në dosje.

Veliaj nuk është i pranishëm në seancë, teksa përfaqësohet nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Edhe Xoxa nuk është paraqitur në gjyq dukë kërkuar pezullimin e gjykimit për shkak se është me leje lindje.
“Më 29 qershor kam lindur me cezarian dhe s’mund të komunikoj lirshëm me avokatin” është shprehur ajo.

Avokati i saj ka deklaruar se Xoxa është në pamundësi për të marrë pjesë në seancë dhe ka kërkuar pezullim të procesit.

“Vullneti i znj. Xoxa është ai i shprehur në kërkesën drejtuar gjykatës. Ajo ka qenë në pamundësi për t’u njohur me përmbajtjen e tyre. Edhe më parë ka qenë me raport mjekësor, por ne kemi përgatitur dhe kemi punuar për kërkesat paraprake. E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj, duke bërë të ditur faktin se më 29 qershor ka kryer lindje me operacion dhe nuk mund të komunikojë lirshëm dhe privatisht me mbrojtësit, ndaj nuk mund të realizohet një mbrojtje efektive. Kërkohet shtyrja e seancës deri në përfundimin e raportit të paaftësisë për punë. Sipas Kodit të Punës, kërkohet shtyrja e procesit deri në shuarjen e kësaj problematike. Ligji garanton 63 ditë leje pas lindjes. Sa më sipër, në këtë situatë faktike, duke qenë në pamundësi për të siguruar një mbrojtje efektive, kërkohet pezullimi i procesit, bazuar në të drejtën e çdo nëne”- u shpreh avokati i saj, Gurali Brahimllari.

Por, SPAK e kundërshtoi kërkesën e Xoxës, duke i kërkuar GJKKO që ta ndajë çështjen e saj nga Veliaj dhe të pandehurit e tjerë.