Investigimi i The Sun: Bandat shqiptare organizojnë kalime drejt Britanisë me jahte luksoze për 15 mijë paund

Një superjaht elegant përshkon ujërat kristal të kthjellëta, si në një film të James Bond-it, dhe të bën të pyesësh se cilët milionerë mund të jenë duke shijuar luksin në bord.

Por kjo video promovuese, e shoqëruar me muzikë të qetë dhe pamje idilike, nuk reklamonte pushime luksoze. Përkundrazi.

Sipas një investigimi të gazetës britanike The Sun, një grup kriminal britaniko-shqiptar po përdor jahte luksoze për të kontrabanduar në Mbretërinë e Bashkuar persona me precedentë penalë, shumë prej të cilëve kanë vuajtur më parë dënime në Britani dhe më pas janë deportuar.

Ky lloj transporti tërheq më pak dyshime sesa gomonet që kalojnë çdo ditë Kanalin Anglez nga Franca, ndërsa jahtet që ankorohen në marina të vogla mund t’u shmangen kontrolleve më të rrepta që kryhen në portet e mëdha.

Investigimi vjen pasi The Sun raportoi muajin e kaluar se mijëra emigrantë të dënuar, të dëbuar nga Britania, kanë arritur të rikthehen ilegalisht në vend.

Një gazetar i infiltruar iu përgjigj një reklame të dyshimtë në TikTok, duke u paraqitur si një shtetas shqiptar që kishte vuajtur dënimin në burgun Wandsworth në Londrën Jugperëndimore, përpara se të deportohej.

Pasi trafikantët u bindën se ai ishte i besueshëm, i kërkuan një numër telefoni dhe biseda vazhdoi në WhatsApp, ku njëri prej tyre përdorte një numër britanik. Ata kërkuan 15.500 paund për një vend në një jaht që do të nisej nga Holanda dhe do të zbarkonte pranë Doverit.

“Kam një vend të lirë në jaht sot. Është një jaht i madh, luksoz. Pranojmë vetëm para në dorë”, i tha njëri prej trafikantëve.

Ai shtoi se pagesa do të bëhej vetëm në Shqipëri, përmes një takimi personal.

Kur gazetari kërkoi një videotelefonatë për t’u siguruar për marrëveshjen, trafikanti bëri vetëm një përshëndetje të shkurtër me dorë dhe ia kaloi telefonin një bashkëpunëtori, i cili premtoi një “udhëtim të qetë dhe të sigurt”.

Ky i fundit pretendoi se edhe ai kishte qenë i burgosur në Britani dhe ishte deportuar pasi kishte vuajtur një dënim prej një viti e dhjetë muajsh në burgun e Doncasterit për shitje kokaine.

“Kam katër persona në të njëjtën situatë si ti që do të udhëtojnë brenda pak ditësh. Mos u shqetëso. Kemi shpenzuar 50 mijë euro për të marrë me qira këtë jaht”, tha ai.

Sipas trafikantit, kapitenët e jahtit do të ishin shqiptarë dhe në bord nuk do të kishte më shumë se dhjetë pasagjerë. Ai shtoi se jahti kishte “tre dhoma luksoze”.

Kur u pyet nëse kishte transportuar së fundmi persona drejt Britanisë, ai u përgjigj: “Dhjetë ditë më parë dërguam me sukses 11 djem. Po të dërgoj edhe mesazhe nga katër persona që kanë qenë në burg në Mbretërinë e Bashkuar.”

Më pas ai dërgoi një pamje nga WhatsApp, ku thuhej se tre prej katër emigrantëve kishin “probleme në Britani” dhe kishin frikë se mos deportoheshin përsëri.

Sipas planit të grupit, një familjar i gazetarit duhej t’i dorëzonte paratë në një kafene përpara se ai të lejohej të hipte në jaht.

Trafikantët thanë se, pasi të mbërrinin pranë Doverit, emigrantët do të merreshin nga shoferë dhe do të transportoheshin drejt Londrës. “Mos ki frikë”, i thanë ata.

Muajin e kaluar, The Sun raportoi se 4.614 persona janë rikthyer në Britani gjatë pesë viteve të fundit pasi ishin deportuar. Të paktën 723 prej tyre janë deportuar dy ose më shumë herë. Ministria e Brendshme britanike ka pranuar se shifrat reale mund të jenë edhe më të larta, pasi jo të gjitha rastet mund të identifikohen përmes kontrolleve të mëparshme.

Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të tretën e rasteve të rikthimit, me 1.525 persona të identifikuar në Britani pasi ishin dëbuar më parë.

Zia Yusuf, zëdhënës për çështjet e brendshme i partisë Reform UK, deklaroi se ky rast tregon se Britania është bërë “objekt talljeje” për mënyrën se si menaxhon emigracionin.

Ndërkohë, përdorimi i jahteve për trafikimin e emigrantëve duket se po shtohet. Në muajin maj, pesë persona u arrestuan pasi një jaht që transportonte shtatë emigrantë drejt Britanisë u ndalua në brigjet jugore të Anglisë.

Dy anëtarë të ekuipazhit, një britanik 42-vjeçar dhe një shqiptar 25-vjeçar, u arrestuan nën dyshimin për lehtësim të emigracionit të paligjshëm, ndërsa tre persona të tjerë u morën në pyetje si pjesë e rrjetit që priste mbërritjen e emigrantëve në breg.

Në mars, dy shtetas ukrainas u dënuan me burg pasi organizuan një shërbim luksoz të kontrabandës së emigrantëve me jaht. Vladyslav Cherniavskyi dhe Oleksandr Yavtushenko kishin marrë nga 13.000 paund për person për të transportuar pesë shqiptarë dhe një vajzë të re vietnameze, por u ndaluan pranë brigjeve të Chichester në korrik të vitit të kaluar. Pronari i jahtit u dënua me pesë vjet burg, ndërsa kapiteni me gjashtë vjet.

Pas kontaktit me grupin kriminal, The Sun njoftoi TikTok-un, i cili brenda një ore e mbylli llogarinë, duke deklaruar se ajo shkelte rregullat e platformës për trafikimin e qenieve njerëzore. Gazeta njoftoi gjithashtu se do t’ia dorëzonte materialin edhe Agjencisë Kombëtare Britanike kundër Krimit (NCA).

Shqiptarët përbëjnë më shumë se një të tretën e rasteve të rikthimit në Mbretërinë e Bashkuar (1,525), të ndjekur nga rumunët (767), afganët (281), lituanezët (233) dhe irakianët (150).

Shifrat më të fundit tregojnë gjithashtu se 1,099 nga 53 mijë shtetasit shqiptarë që jetojnë në Britani pa shtetësi britanike kanë përfunduar në burg, ndërsa shumë prej tyre i drejtohen kriminalitetit për të financuar stilin e tyre të jetesës.

Shqipëria ka aq shumë të rinj që jetojnë në Britani, saqë një qytet është pothuajse pa meshkuj të rinj.

Hasi, rreth tre orë larg me makinë nga Tirana, ka lidhje aq të ngushta me Mbretërinë e Bashkuar, saqë shpalli një ditë zie kur Mbretëresha Elizabeth II ndërroi jetë në vitin 2022. Kryetari i bashkisë kishte vendosur edhe një fotografi të Madhërisë së Saj në zyrën e tij.

The Sun raportoi gjithashtu se familjet në fshatin e vogël Golaj, në veri të Shqipërisë, kursejnë dhe bashkojnë paratë për të dërguar të rinjtë me varka drejt Britanisë. Po ashtu zbuluam se dy vëllezër bosë droge, të cilët drejtonin një operacion të madh trafiku droge nga një shtëpi në veri të Londrës, fituan aq shumë para sa ndërtuan një atraksion turistik, Solis Farm, shumë të vizituar në Shqipëri.

Dy personat pas këtij investimi ishin Hajdar Copja, 40 vjeç, dhe vëllai i tij Franc Copja, 33 vjeç, të cilët drejtonin një perandori ndërkombëtare droge nga një shtëpi me tarracë në Tottenham.

Franci e kalonte ditën në telefon duke kontaktuar trafikantë droge në Amerikën e Jugut dhe më pas organizonte pagesat për doganierë dhe punonjës portesh të korruptuar, të cilët ndihmonin në kontrabandimin e drogës me vlerë miliona paund drejt Britanisë, shumica e fshehur në rimorkio.

Një nga kartelët më famëkeqe shqiptare është Hellbanianz, një grup trafikantësh droge me bazë në kompleksin Gascoigne Estate, në Barking, në lindje të Londrës. Ata nuk kanë ngurruar të ekspozojnë jetën e tyre luksoze me makina të shtrenjta, veshje firmato dhe armë në duar. Madje realizuan edhe një videoklip muzikor me titull “Poppin Smoke”, ku shfaqeshin duke drejtuar mjete ushtarake të pajisura me mitralozë të rëndë nëpër kompleksin e banimit.

Ndërsa bandat shqiptare vazhdojnë të mbajnë një kontroll të fortë mbi një pjesë të madhe të tregut të kokainës në Britani, besohet se drejtuesit e tyre janë zhvendosur në Dubai, ku janë shfaqur në rrjetet sociale duke lëvizur me automjete Rolls-Royce. Është një jetë që shumica e shqiptarëve vetëm mund ta ëndërrojnë, dhe duket se shumë prej tyre tani po përpiqen ta nisin atë me stil, duke mbërritur në Britani me jaht.