Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka prezantuar programin e forcës politike që ai drejton, e cila në zgjedhjet e 11 majit garon me numrin 10 në fletën e votimit.
Në fjalën e tij në hapjen zyrtare në Pallatin e Kongreseve, mes mijëra mbështetësve, Agron Shehaj theksoi se programi i Mundësisë ka qëllim kryesor rritjen ekonomike të vendit, përmes tkurrjes së administratës me të cilën do kursehen mbi 1 miliard euro në vit.
Po ashtu, përgjysmimi i taksave për qytetarët dhe bizneset, me një taksë të sheshtë prej vetëm 8%, që do të ulë drastikisht barrën tatimore dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe sipërmarrjen e lirë.
Shehaj tha se adaptimi i monedhës euro do të eliminojë kostot e panevojshme të këmbimit valutor, do lehtesoj bisneset e eksporteve dhe do rris besimin e investitorëve vendas dhe të huaj në ekonominë tonë.
Një nga prioritetet kryesore të partisë Mundësia tha Shehaj është përmirësimi radikal i klimës së biznesit.
Ndaj ai theksoi se synohet eliminimi i kontrolleve të tepërta shtetërore mbi bizneset e reja për tre vitet e para.
“Ne do ta bëjmë shtetin më efikas dhe transparent përmes digjitalizimit të plotë të shërbimeve publike, duke eliminuar vendimmarrjen subjektive dhe diskriminimin.”, tha ndër të tjera Shehaj.
Pjesë nga fjala e Agron Shehaj për Programin e Partisë Mundësia:
Qellimi kryesor i programit tone eshte rritja ekonomike. Deshtimi me i madh i te gjitha qeverive ne 34 vitet e fundit ka qene pikerisht mungesa e rritjes ekonomike.
Ne kemi një plan të qartë dhe konkret për ta transformuar Shqipërinë në një vend ku çdo qytetar mund të ketë sukses nëpërmjet punës dhe kembnguljes dhe deshires per tja dale..
Ne besojmë se ndryshimi fillon me pergjysmimin e taksave për qytetarët dhe bizneset. Për këtë arsye, do të vendosim një taksë të sheshtë prej vetëm 8%, duke ulur drastikisht barrën tatimore dhe duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe sipërmarrjen e lirë.
Administrata publike sot është e mbingarkuar dhe e fryrë me shpenzime të panevojshme dhe luks të papranueshëm. Partia Mundësia angazhohet të kursejë mbi 1 miliard euro në vit duke reduktuar administratën dhe duke eliminuar shpenzimet e tepërta. Këto fonde do të financojne uljen e taksave dhe permiresimin e shërbime publike.
Për të garantuar stabilitet ekonomik dhe transparencë financiare, Shqipëria do të adoptojë Euron si monedhë kombëtare. Kjo masë do të eliminojë kostot e panevojshme të këmbimit valutor, do lehtesoj bisneset e eksporteve dhe do rris besimin e investitorëve vendas dhe të huaj në ekonominë tonë.
Një tjetër hap i rëndësishëm është lufta frontale ndaj korrupsionit dhe nepotizmit. Ne do të anulojmë të gjitha koncesionet dhe PPP-të ne hetim nga Spak per korrupsion, do të përdorim Inteligjencën Artificiale për të automatizuar procedurat administrative, duke ulur hapësirat për korrupsion dhe abuzime.
Në këtë luftë kundër korrupsionit, mbështetja jonë për SPAK-un do të jetë absolute. Ne do të sigurojmë financim dhe kompetenca të zgjeruara ligjore për këtë institucion, për të garantuar drejtësi të pavarur dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të korruptuar.
Një nga prioritetet tona kryesore është përmirësimi radikal i klimës së biznesit. Për këtë arsye, ne do të eliminojmë kontrollet e tepërta shtetërore mbi bizneset e reja për tre vitet e para.
Arsimi është çelësi i së ardhmes, prandaj ne do të sigurojmë pavarësinë e plotë të institucioneve arsimore dhe do të rrisim pagat dhe kushtet e mësuesve. Arsimi do të jetë plotësisht i depolitizuar, duke garantuar një mjedis të drejtë dhe cilësor për studentët.
Në shëndetësi, do të investojmë duke rritur buxhetin dhe duke krijuar Ndërmarrjen Kombëtare Shëndetësore, e cila do të centralizojë menaxhimin, të eliminojë burokracinë dhe korrupsionin, dhe të përmirësojë ndjeshëm shërbimin për qytetarët.
Politikat tona sociale janë gjithashtu shumë konkrete: do rrisim pensione cdo vit me 10 %, çdo pensionist me pension më të ulët se 300 euro do të përfitojë kontribut minimal jetik, ndërsa çdo fëmijë deri në 14 vjeç do të marrë 600 euro në vit, duke mbështetur kështu familjet shqiptare.
Ekonomia jonë do të ketë në fokus zhvillimin e sektorëve si turizmi, teknologjia e informacionit, turizmi mjekësor, shërbimet financiare dhe agrobiznesi, duke eliminuar barrierat burokratike dhe duke lehtësuar maksimalisht eksportet.
Ne do ta bëjmë shtetin më efikas dhe transparent përmes digjitalizimit të plotë të shërbimeve publike, duke eliminuar vendimmarrjen subjektive dhe diskriminimin.
Diaspora jonë meriton një vëmendje të veçantë, prandaj do të ofrojmë lehtësim maksimal për investimet e tyre, duke krijuar kushte që ata të kthehen dhe të kontribuojnë për Shqipërinë që meritojnë.
Ky është angazhimi ynë. Kjo është Shqipëria e Mundësive që duam të ndërtojmë së bashku.