Ka dalë pas rreth 6 orësh nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme Agron Neza, ku u mor në pyetje pasi emri i tij përmendej në çështjen “McGonigal”.
Në një komunikim të shkurtër për gazetarët ai tha se duhet të pyesnin prokurorin se përse ndodhej në SPAK, duke mos dhënë detaje.
Agron Neza është i përfshirë në dosjen e ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles ku përmendet rreth 11 herë emri i kryeministrit Edi Rama.
Agron Neza, biznesmen shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, përmendej në aktakuzën e gjykatës në SHBA si Person A.
Emri i tij doli në skenë pasi thuhej se i ka paguar agjentit të FBI 225.000 dollarë për influencë tek autoritetet shqiptare me përfitime në biznes, para që McGonigal nuk i ka deklaruar.
Ka qenë ky i fundit që e ka pranuar që ka marrë këtë shumë parash dhe se e ka fshehur informacionin nga Byroja Federale e Hetimit.
Pikërisht këtë 225 mijë dollarësh borxh, opozita e quan ryshfet të kryeministrit Edi Rama.
Në një deklaratë publike të mëhershme, Neza theksonte se paratë që i ka dhënë McGonigal nuk kanë lidhje me qeverinë shqiptare dhe as me kryeministrin Edi Rama.