Administrata Trump i kërkoi të premten Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara që të anulojë mbrojtjen ndaj deportimit për rreth 300,000 venezuelianë që jetojnë aktualisht në SHBA — dhe e akuzoi një gjykatë më të ulët se po ndërhyn në mënyrë të pajustifikueshme duke vendosur në të kundërt.
Rasti lidhet me një vendim të mëhershëm të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, e cila vendosi të përfundojë një formë ndihme humanitare të njohur si Status i Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) për migrantët venezuelianë.
Por ky rast shtron gjithashtu pyetje më të gjera mbi mënyrën se si gjykatat — përfshirë Gjykatën e Lartë — po përballen me ritmin e apelit emergjent që po nxitet nga mandati i dytë i Trump.
Ky është apeli i dytë i paraqitur të premten në Gjykatën e Lartë, dhe prek një debat të hapur brenda gjyqësorit: sa peshë precedenti kanë urdhrat e paqartë të Gjykatës së Lartë në procedurat e saj të shpejta emergjente?
Çështja e TPS për venezuelianët ka mbërritur më parë në Gjykatën e Lartë këtë vit. Në maj, pavarësisht kundërshtimit të gjyqtares liberale Ketanji Brown Jackson, gjykata lejoi administratën Trump të vazhdonte me heqjen e mbrojtjeve, ndërkohë që rasti vazhdonte në gjykatat më të ulëta.
Më pas, një gjyqtar federal në Kaliforni dha një vendim të ri në favor të venezuelianëve që kishin paditur për këtë politikë, duke e bllokuar vendimin e qeverisë në mënyrë më të qëndrueshme.
Në apelin emergjent të paraqitur të premten, administrata Trump e akuzoi gjyqtarin e rrethit Edward Chen dhe Gjykatën e Apelit të Qarkut të 9-të për një “qëndrim të pambrojtshëm” duke bllokuar përsëri politikat e administratës.
“Për aq kohë sa urdhri i gjykatës së shkallës së parë mbetet në fuqi, sekretarja është e detyruar të lejojë mbi 300,000 shtetas venezuelianë të qëndrojnë në vend, pavarësisht vlerësimit të saj se edhe një qëndrim i përkohshëm është ‘në kundërshtim me interesin kombëtar’,” thuhej në argumentin e administratës.
Urdhri fillestar i Gjykatës së Lartë nuk dha asnjë arsyetim për vendimin e saj. Administrata Trump argumenton se kjo nuk ka rëndësi.
“Pavarësisht nëse urdhrat përmbajnë një fjali apo shumë faqe, shpërfillja e tyre — siç bëri gjykata e mëposhtme këtu — është e papranueshme,” theksoi ajo.
Disa gjyqtarë të gjykatave më të ulëta kanë shprehur pasiguri për mënyrën se si të veprojnë kur Gjykata e Lartë jep vendime pa sqarime të mjaftueshme.
“Ata nuk na thonë asgjë,” tha gjyqtari i Apelit James Wynn gjatë një seance të pazakontë të këtij muaji, në një çështje tjetër që përfshinte aksesin e Departamentit për Efikasitetin e Qeverisë në të dhënat e Sigurimeve Shoqërore.
Një çështje qendrore në këtë rast është nëse Kristi Noem kishte autoritetin për të fshirë statusin ekzistues të TPS përpara skadimit të tij të planifikuar.
Administrata Biden e kishte dhënë për herë të parë këtë mbrojtje për venezuelianët në mars të vitit 2021, duke përmendur pasigurinë në rritje në vendin e tyre, dhe e zgjeroi atë në vitin 2023. Vetëm dy javë para se Trump të merrte detyrën për mandatin e tij të dytë, administrata Biden e rinovoi këtë mbrojtje edhe për 18 muaj të tjerë.
Pala paditëse, migrantët venezuelianë të mbuluar nga TPS, argumentojnë se vendimi i papritur i Noem për të anuluar këtë mbrojtje përbën shkelje të Aktit për Procedurat Administrative (APA), i cili kërkon ndjekjen e procedurave të qarta për çdo ndryshim në politikat qeveritare. Ata gjithashtu pretendojnë se vendimi i saj ishte i motivuar nga paragjykime racore dhe politike.