Tenderat e dyshimtë dhe korruptivë që janë dhënë përgjatë 10 viteve të qeverisë socialiste kanë detyruar kryeministrin Rama të marrë një vendim.
Kryeministria, ministritë dhe institucionet e tjera nuk do të kenë më mundësi të japin tendera dhe të abuzojnë me lekët e buxhetit të shtetit. Ka qenë vetë Rama që ka njoftuar krijimin e shoqërisë aksionare 100% shtetërore i quajtur “Operatori i Blerjeve të Përqendruara” (OBP). Vendimi është miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe kjo shoqëri do të fillojë punë brenda Dhjetorit të këtij viti.
OPB do të funksionojë sipas ligjit për tregtarët dhe shoqëritë tregtare të vitit 2008 dhe organet drejtuese janë Asambleja e Përgjithshme e Aksionarit, Këshilli Mbikëqyrës dhe Drejtori. Ky i fundit emërohet dhe shkarkohet nga asambleja e përgjithshme e aksionarit.
Drejtori nuk ka një afat të përcaktuar për largimin nga detyra, por ikën vetëm kur jep dorëheqjen, del në pension, është i sëmurë ose shkarkohet. Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të kryejë të gjitha blerjet e institucioneve, teksa të gjitha autoritete apo entet kontraktore do duhet ti drejtohen OBP për të fituar tenderat publike për shërbimet.
Prokurimet publike do të vijojnë të bëhen në sistemin e prokurimit elektronik deri në 31 dhjetorin e këtij viti, ndërsa ato që do të ngelen të papërfunduar do të mbyllen nga OBP.