A po shkojmë në pension të parakohshëm tani që teknologjia na zgjidh gjithçka?

“The Economist”

Në filmin “Permutation City” (Qyteti i Shndërruar), një roman me autori Greg Egan, personazhi kryesor Peer, pasi ka arritur pavdekësinë brenda një realiteti virtual mbi të cilin ka një kontroll total, e gjen veten tmerrësisht të mërzitur. Në këto kushte, ai e projekton veten që të ketë pasione të reja.

Një moment i shtyn kufijtë e matematikës së nivelit tw lartë; ditën tjetër shihet duke shkruar opera. “Madje ai kishte qenë i interesuar për Elizianët (jetën e përtejme). Por jo për shumë kohë. Ai preferoi të mendonte për këmbët e tavolinës. Por mesazhi i atij filmi, lidhet me një pyetje më të thellë: Kur teknologjia të ketë zgjidhur problemet më të mëdha të njerëzimit, atëherë çfarë do të na mbetet që të bëjmë?

Kjo është një pyetje që trajtohet në një libër të ri nga Nik Bostrom, filozof në Universitetin e Oksfordit. Në librin e parafundit ai argumenton se njerëzimi përballej me një shans 1 në 6 për t’u zhdukur në 100 vitet e ardhshme, ndoshta për shkak të zhvillimit të formave të rrezikshme të inteligjencës artificiale (AI).

Ndërkohë në librin e fundit me titull “Utopia e thellë”, ai parashikon një rezultat shumë të ndryshëm. Çfarë ndodh nëse gjërat me AI shkojnë jashtëzakonisht mirë? Sipas një skenari që mendon Bostrom, teknologjia do të përparojë deri në pikën kur mund të bëjë me një kosto gati zero të gjithë punën e vlefshme nga pikëpamja ekonomike.

Sipas një skenari akoma më radikal, edhe detyrat që mund të mendoni se do të rezervoheshin për njerëzit, si prindërimi, mund të bëhen më mirë nga Inteligjenca Artificiale. Kjo mund të tingëllojë më shumë distopike sesa utopike, por Bostrom argumenton të kundërtën.

Le t’ia nisim me skenarin e parë, të cilin Bostrom e etiketon si një utopi “të epokës së bollëkut”. Në një botë të tillë, nevoja për punë do të reduktohej. Gati një shekull më parë Xhon Mejnard Kejnes shkroi një ese me titull “Mundësitë ekonomike për nipërit tanë”.

Në të ai parashikonte se pas 100 vjetësh, pasardhësit e tij të pasur do të duhej të punonin vetëm 15 orë në javë. Kjo gjë nuk ka ndodhur, megjithatë është fakt që koha e punës ka rënë shumë. Në botën e pasur, orët mesatare javore të punës kanë rënë nga më shumë se 60 orë në fund të shekullit XIX-të në më pak se 40 sot.

Amerikani tipik e kalon 1/3 e orëve zgjuar në aktivitete të lira dhe sporte. Në të ardhmen, ata mund të dëshirojnë ta shpenzojnë kohën e tyre për gjëra që janë përtej konceptimit aktual të njerëzimit. Siç e thekson Bostrom, kur ndihmohet nga teknologjia e fuqishme, “hapësira e përvojave të mundshme për ne, shtrihet shumë përtej atyre që janë të arritshme për ne me trurin tonë aktual të pa optimizuar”.

Megjithatë, emërtimi i Bostrom mund të jetë pak mashtrues: bumi ekonomik i shkaktuar nga super-inteligjenca do të kufizohej ende nga burimet fizike, veçanërisht nga toka. Megjithëse eksplorimi i hapësirës mund të rrisë jashtëzakonisht hapësirën e disponueshme për banim, nuk do ta bëjë atë të pafund.

Ndërkohë, ka edhe botë të ndërmjetme ku njerëzit zhvillojnë forma të reja të fuqishme inteligjence, por që nuk do të bëhen hapësinore. Në botë të tilla, pasuria mund të jetë fantastike, por një pjesë e madhe e saj mund të zihet nga strehimi ashtu siç është rasti në vendet e pasura sot.

“Të mirat për shkak të statusit”, të cilat e rrisin statusin e pronarëve të tyre, kanë gjithashtu të ngjarë që të ekzistojnë ende. Dhe ato janë të pakta për nga natyra e tyre. Edhe nëse Inteligjenca Artificiale i tejkalon njerëzit në art, intelekt, muzikë dhe sport, njerëzit ndoshta do të vazhdojnë të marrin vlerë nga tejkalimi i njerëzve të tjerë, për shembull duke pasur bileta për ngjarjet më të rëndësishme dhe në modë.

Në vitin 1977, ekonomisti Fred Hirsh argumentoi në librin e tij “Kufijtë Socialë të Rritjes” se ndërsa pasuria rritet, një pjesë më e madhe e dëshirës njerëzore përbëhet nga të mirat e statusit. Koha e shpenzuar në konkurrencë rritet, po kështu edhe çmimi i këtyre mallrave.

Kështu rritet edhe pjesa e tyre në PBB kombëtare. Ky model mund të vazhdojë në një botë utopike të diktuar nga Inteligjenca Artificiale.

Bostrom vëren se disa lloje konkurrence përfaqësojnë një dështim të koordinimit: nëse të gjithë pranojnë ta ndalin konkurrencën, do të kenë kohë për të bërë gjëra të tjera më të mira, të cilat mund të nxisin më tej rritjen personale. Megjithatë, disa lloje të konkurrencës, si për shembull sporti, kanë vlerë të brendshme dhe ia vlen të ruhen.

Po ashtu njerëzit mund të mos kenë asgjë më të mirë për të bërë. Interesi për shahun është rritur shumë që kur super-kompjuteri “Deep Blue” i kompanisë amerikane IMB mundi për herë të parë Garry Kasparov, kampion bote në fuqi, në vitin 1997. Një industri e tërë është shfaqur rreth sporteve elektronike, ku kompjuterët mund t’i mposhtin me lehtësi njerëzit.

Të ardhurat e tyre pritet të rriten me një normë vjetore prej 20 për qind gjatë dekadës së ardhshme, duke arritur në afro 11 miliardë dollarë deri në vitin 2032.

Disa grupe në shoqëri, na japin sot një lloj shembulli se si njerëzit e ardhshëm mund ta kalojnë kohën e tyre. Aristokratët dhe bohemët kënaqen me artet. Murgjit në manastire jetojnë brenda vetes. Atletët e kalojnë jetën e tyre të angazhuar në sport. Pensionisti merret me të gjitha këto ndjekje.

Pension i parakohshëm për të gjithë

Por a nuk do të na mbeten ende detyra të tilla si prindërimi? Bostrom nuk është dhe aq i sigurt. Ai argumenton se përtej botës së bollëkut qëndron një botë “post-instrumentale”, në të cilën Inteligjenca Artificiale do të bëhet super-njerëzore edhe në kujdesin ndaj fëmijëve. Vetë Kejnes shkroi dikur: “S’ka asnjë vend dhe asnjë popull, që mund të presë me padurim dhe pa frikë epokën e kohës së lirë dhe të bollëkut të madh. Sepse ne jemi stërvitur shumë gjatë për të luftuar dhe për të mos shijuar… Gjykuar nga sjellja dhe arritjet e klasave të pasura sot në çdo cep të botës, kjo perspektiva është shumë dëshpëruese!.”

Bibla e thotë edhe më shkurt: “Duart boshe janë në dispozicion të punëve të Djallit!”.

Këto dinamika sugjerojnë një “paradoks të progresit”. Megjithëse shumica e njerëzve duan një botë më të mirë, nëse teknologjia bëhet shumë e avancuar, ata mund ta humbasin qëllimin.

Bostrom argumenton se shumica e njerëzve do të merren ende me aktivitete që kanë një vlerë të brendshme, si për shembull konsumi i ushqimeve të shijshme. Duke besuar se jeta është bërë shumë e lehtë, utopistët mund të vendosin ta sfidojnë veten, ndoshta duke kolonizuar një planet të ri në përpjekje për të ri-ndërtuar nga e para qytetërimin tonë. Sidoqoftë në një moment, edhe aventura të tilla mund të mos ndihen më të vlefshme. Mbetet një pyetje e hapur për sa kohë njerëzit do të ishin të lumtur duke u marrë me pasionet e tyre, siç bën Peer në filmin “Permutation City”.

Ekonomistët e kanë deklaruar prej kohësh se njerëzit kanë “kërkesa dhe dëshira të pakufizuara”, duke sugjeruar se ka variacione të pafundme në gjërat që njerëzit do të donin të konsumonin. Me ardhjen e një utopie të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, kjo gjë do të vihej në provë. Shumëçka do të varej nga rezultati.