Ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shfaqur sot në seancën e Kuvendit të Shqipërisë. Pak para se të hynte në sallë ai është ndalur nga gazetarët, ku është pyetur lidhur me përplasjen mes deputetëve dhe mbështetësve të tij pas mbledhjes së kryesisë së PD-së.
I pyetur nëse do të garojë si kryetar i PD, në zgjedhjet e 29 korrikut. Basha tha se çdo vendim që do të marrë, do të jetë në interes të demokratëve.
“Më dhimbset Shqipëria sepse kam folur me vepra e me fjalë. E kam treguar me vepra që marr vendime në interes të shqiptarëve me aktin e 21 marsit ndaj dua ti them çdo demokrati, do të udhëhiqem nga intreresi i tyre më i mirë. Këto vendime i marrin demokratët dhe janë në gjendje të përcaktojnë se kush mund të çojë përpara PD. Vendimet e mia gjithmonë kanë qenë në interes të demokratëve. Do të vazhdoj të marr vendime, por nuk do të udhëhiqem nga interesi personal. Në 14 maj qytetarët nuk patën alternativën më të mirë. Dhe PD duhet të kthehet në alternativë për shqiptarët.
Distancohem dhe dënoj me forcë çdo sjellje, në këtë rast banalitetin dhe kërcënimet që janë shkëmbyer në një moment tensioni, në veçanti kur kemi të pranishëm përfaqësues të medias që bëjnë punën e tyre. Ky nuk është modeli im, një model kundër të cilit jam ngritur që prej ditës së parë në politikë. Nuk mendoj se dhuna, kërcënimet, lufta kundër mendimit ndryshe kanë vend në një demokraci“, tha Basha.
I pyetur nëse është takuar me Taulant Ballën, një lajm që ka qarkulluar pas publikimit të një videoje nga Syri Tv, Basha tha se nuk është e vërtetë.
Nuk kam patur takim me Ballën. Me ata takohen administratorët e Syri Tv, do të dalin faktet. Edhe një javë pas zgjedhjeve kanë ndryshuar favoret për tenderat për tekëndëëshin e Bermudës Natën ndajnë tenderat dhe ditën zihen. Ky është teatri.
Ai ka deklaruar se Partia Demokratike nuk drejtohet nga Sali Berisha. Duke folur për mediat jashtë Parlamentit, Basha ka theksuar se Berisha është përjashtuar nga PD-ja, në kohën që ai vetë ka qenë drejtuesi i saj.
“PD nuk e drejton Berisha. Është përjashtuar,” tha Basha.