Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe sot thirrjen për dialog ndaj protestuesve.
Mëngjesin e kësaj të premteje ai ka vendosur sërish fletë ku shkruhet “dialog” në stola guri përpara Kryeministrisë. Por njëkohësisht ka kërcënuar ata të rinj, që sipas tij morën peng kryeqytetin, duke thene se do të përgigjen penalisht.
Sipas Rames, askush nuk mund të kthejë dot rrugën e Shqipërisë, e cila është drejtuar tashmë drejt Bashkimit Europian.
“Përsëri, përsëri dhe përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu. Jam i gatshëm kudoqoftë, në çdo vend, në çdo orë, me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë me e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njezërllëk, me shkëmbim e ballafaqim pikëpamjesh, sado të kundërta.
Kundërshtia me dhunë e forcë, që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i imponohet dot domosdoshmërisë për dialog, për ballafaqim pikëpamjesh dhe për bashkëjetesë demokratike, në një vend, ku e kaluara nuk ka shans të kthehet dhe kush e mori peng Tiranën, duke eksportuar këtu terrorin e Antifës dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar, do përgjigjet.
Do të përgjigjet penalisht, sipas shkallës së dëmit të bërë, përmes shkallës së keqkuptimit të madh. Keqkuptim i madh ky, që të mendosh se mund t’i imponohesh një populli të tërë, mund t’i imponohesh një komuniteti të tërë, mund t’i imponohesh familjeve të zakonshme të këtij vendi, që duan të shkojnë në punë, me gjuhën e gurit dhe të zjarrit.
Këto zhvillime duhet që të kthehen në një mësim tepër të rëndësishëm për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon, Shqipëria do të vazhdojë drejt dhe Shqipëria do çojë në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut, do jetë në BE, rrugë që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh”, tha kryeministri.