Kryeministri Edi Rama ka dalë në një komunikim mëngjesin e kësaj të diele, duke thënë se nuk do jap dorëheqje, pavarësisht revoltës studentore, e cila sot është në ditën e gjashtë.
Edhe pse rinia ka dalë kundër tij, Rama thotë se shteti nuk mund të dorëzohet përballë protestave. Gjatë komunikimit të tij, Rama u shpreh se largimi i tij nga detyra do të ndërpriste, sipas tij, procesin e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
“Le ta ndërpresim këtu dhe unë ftoj këdo që do të bëjë dialog të flasim çfarë doni dhe ç’mund të bëjmë gjërat më mirë.
Nuk është çështje e pushtetit tim, nuk kam asgjë për t’i provuar vetes më. Jo me arrogancë, por krenar, bëj vetëm udhëtimet e domosdoshme, nuk kam më as dëshirë të udhëtoj për pushtet.
Pasuri? Çfarë të them, është e kotë të flas për këtë. Nuk është pushteti im në lojë, por tryeza e negociatave. Shqiptarët duhet të mendojnë qartë: duan këtë apo BE-në?
Do të thonë disa: Pse ike dhe s’do të shkojmë ne në BE? Nuk po them që jeni të paaftë ta çoni Shqipërinë në BE, jeni ziliqarë, të paaftë, ziliqarë, sepse nuk më mundni dot me fjalë dhe ju ka ardhur dita te guri. E nisët me shishe uji e vezë dhe arritët te guri.
Le ta themi që janë kaq të aftë, negociatat kanë kalendar. Dritarja është hapur tani, kalendari kërkon që çdo ditë të japim e të marrim, ka çdo ditë fluturim në Bruksel e anasjelltas. Kjo ndërpritet nëse unë iki dhe vjen neokomunisti apo matufepsi, u duhet një kohë e gjatë”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri gjithashtu një krahasim me situatën në Francë, Itali, Bruksel, Belgjikë dhe Spanjë, ku foli për lëvizjet që ai i përshkroi si “Antifa” dhe neokomuniste. Në këtë kontekst, Rama tha se përfaqësuesit e këtyre lëvizjeve nuk kanë mend në kokë, duke përdorur shprehjen “komplet kokë bosh”.
“Ndryshe nga Franca, Italia, Brukseli e Belgjika, Spanja e këto vende ku kjo flamë e quajtur Antifa, neokomunistë, ne u marrim të keqen atyre të parëve Karl Marksit e kujt i erdhi mbrapa, se të paktën ata i kishin mend në kokë, këta nuk kanë as mend fare, janë komplet kokë bosh.
Ndërkohë që këtu nuk është si atje. E kemi parë Shqipërinë në kaos, peng të marrëzisë, të humbasë ekonominë, të mos afrohet askush nga pasiguria, të ngrihen njerëzit e të ikin me anije. Njerëzit po, sot lëvizin, ikin, kthehen. Më shumë ikin sesa kthehen, sigurisht, sepse nuk jemi në bunkerin e Enver Hoxhës”, tha Rama.