Berisha: Akuzat e Edi Ramës janë turpi dhe faqja e zezë e tij

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i është përgjigjur akuzave të mazhorancës, se ai qëndron pas protestave të studentëve, që janë shoqëruar edhe me akte dhune.

Nga konferenca për shtyp në selinë blu, Berisha i cilësoi akuzat si bajate dhe ironizoi qëndrimin e Edi Ramës se pas kësaj situate qëndrojnë duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë në BE.

Ndërkohë Berisha shtoi se mbështet protestën e studentëve, teksa i bëri thirrje Ramës që të dorëhiqet.

“Partia Demokratike deklaron se mbështet me të gjithë potencialin e saj këtë protestë dhe do ta mbështesë deri në fund. Akuzat bajate të Edi Ramës janë turpi dhe faqja e tij e zezë, sipas të cilit kjo protestë është rezultat i armikut të brendshëm, që është opozita, dhe armikut të jashtëm. Kësaj here nuk e morëm vesh, nuk e kemi idenë nëse është Greqia, Irani, Serbia apo dikush tjetër, por flasim për një armik të jashtëm në bashkërendim me opozitën. Opozita do të qëndrojë me të gjitha fuqitë e saj në mbështetje të kësaj proteste. Jep dorëheqjen, largohu menjëherë!”, tha Berisha.