Tirana 3 ditë në flakë, Rama: Kjo flamë nuk është studentore, është e njëjta dorë që ka kapur për fyti opozitën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestën studentore, e cila ndodhet sot në ditën e katërt.

Edhe pse studentët kërkojnë dorëheqjen e tij, Rama thotë se “nuk do të përkulet përballë dhunës për pak qetësi”, ndërsa akuzon kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha se qëndron mbrapa protestave.

“Si mund të jenë studentët? Si mund të jetë investimi i prindërve tek fëmijët e tyre kjo gërmadhë? Kjo nuk ka lidhje fare me studentët. E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit me maska nuk ka të bëjë fare me hallet, me problemet, me aspiratat legjitime të gjithkujt që do një jetë më të mirë. E gjitha kjo është po ajo dorë, po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare dhe që e ka djegur dhe shkatërruar jo një herë Shqipërinë dhe që është gati ta djegë e shkatërrojë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara në një luftë qorre ku urrejtja, urrejtja më e verbër dhe ku flakët e ndasisë janë e vetmja dritë arsyeje. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng qytetin gjatë ditës nuk janë studentët dhe as ata që pastaj në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore nuk kanë të bëjnë fare me ju. Nuk kanë të bëjë fare me problemet tuaja, nuk kanë të bëjë fare me zgjidhjet që ju keni nevojë”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, dora e vjetër e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim, duke ju referuar Berishës, po mbështetet nga “duar të huaja” që nuk e duan Shqipërinë pjesë të BE.

“Dora e vjetër e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim, sot mbështetet nga duar të tjera, të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë, të shohë drejt, të ecë përpara dhe të merret me problemet e saj për t’u përmirësuar, që nuk e duan Shqipërinë pjesë të BE. Nuk e duan Shqipërinë të lirë për të qenë aty, së bashku me popujt e tjerë të BE. A ju duket rastësi që sapo çelet një tjetër dritë jeshile, sapo afrohet më shumë drejt asaj abisine këtu plas flaka? Nuk është rastësi. E gjithë kjo nuk është rastësi. Është një sprovë, test i karakterit tonë dhe është një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese të madhe që na është vënë përpara”, tha Rama.