Një grup organizatash ndërkombëtare dhe shqiptare të medias dhe shoqërisë civile kërkojnë të merren masa urgjente për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias në vend.
Në një letër të hapur drejtuar institucioneve dhe ambasadave në vend, organizatat shprehin shqetësim për incidentet e përsëritura të dhunës dhe pengimit të gazetarëve gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri.
Këto incidente, shkruhet në letër, duhen parë edhe në kontekstin e presioneve të akumuluara ndaj lirisë së medias dhe hapësirës qytetare në Shqipëri.
Organizatat i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit të sqarojë rrethanat e incidenteve të raportuara, të ruajë provat përkatëse dhe të garantojë zbatimin e udhëzuesit për sigurinë e gazetarëve.
Po ashtu i bëhet thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së që t’i ndjekin nga afër zhvillimet dhe t’i ngrenë këto shqetësime në dialogun me autoritetet shqiptare.
LETËR E HAPUR
Masa urgjente institucionale dhe llogaridhënie për mbrojtjen e gazetarëve, punonjësve të medias dhe aktorëve të mbikëqyrjes publike në Shqipëri
Tiranë, 14 tetor 2026
Drejtuar:
Z. Niko Peleshi, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Z. Ervin Demo, Ministër i Punëve të Brendshme
Z. Toni Gogu, Ministër i Drejtësisë
Znj. Jorida Tabaku, Kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Z. Fatmir Xhafaj, Kryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
Z. Ulsi Manja, Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike
Z. Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm
Z. Skender Hita, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
Z. Klevis Qose, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Z. Endrit Shabani, Avokat i Popullit
Për dijeni: Znj. Sofia Moreira de Sousa, Ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri; Znj. Giulia Re, Drejtuese e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë; Z. Michel Tarran, Ambasador dhe Kryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Lënda: Kërkesë për veprim urgjent institucional dhe llogaridhënie lidhur me rastet e përsëritura të dhunës dhe pengimit të gazetarëve dhe aktorëve të mbikëqyrjes publike
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Ne, organizatat nënshkruese, shprehim shqetësimin tonë të thellë për incidentet e përsëritura të dhunës dhe pengimit të gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë mbulimit të protestave në Shqipëri, si dhe për mungesën e reagimeve efektive institucionale dhe të masave parandaluese, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme publike.
Ngjarjet e 13 tetorit 2026 në Tiranë, gjatë të cilave disa gazetarë raportuan dhunë fizike dhe pengim nga punonjës të policisë, ndërsa tre punonjës të medias patën nevojë për trajtim spitalor, kërkojnë veprim urgjent. Veçanërisht alarmant është rasti i Izmir Akullit, kryeredaktor i Dosja.al, i cili raportoi se u dhunua nga punonjës të policisë ndërsa po dokumentonte veprimet e tyre dhe pati nevojë për trajtim spitalor.
Këto ngjarje pasojnë incidente të dokumentuara gjatë korrikut, shoqërimin në polici dhe pengimin e përsëritur të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca, përfshirë mbajtjen e telefonit të saj nga policia në shtator (rast i regjistruar në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë dhe Sigurinë e Gazetarëve), si dhe pengimin e ekipeve mediatike, të identifikueshme si të tilla, më 8 tetor. Përsëritja e këtyre incidenteve, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme publike dhe miratimit të Udhëzuesit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve në maj 2025, ngre shqetësime serioze për hendekun ndërmjet angazhimeve institucionale dhe zbatimit të tyre në praktikë. Kjo kërkon gjithashtu një shpjegim të qartë publik mbi masat e marra pas incidenteve të mëparshme dhe arsyet përse ato nuk kanë arritur të parandalojnë raste të tjera dhune dhe pengimi.
Këto incidente duhen parë edhe në kontekstin e presioneve të akumuluara ndaj lirisë së medias dhe hapësirës qytetare në Shqipëri. Fushatat e diskreditimit, frikësimi, sulmet me bazë gjinore, kufizimet që prekin llogaritë e mediave dhe aktorëve qytetarë në platformat digjitale, pengesat në aksesin në informacion me interes publik dhe propozimet ligjore që mund të kufizojnë raportimin po kontribuojnë në krijimin e një mjedisi gjithnjë e më të vështirë për mbikëqyrjen e pavarur. Ndikimi i akumuluar i këtyre presioneve rrezikon të dekurajojë raportimin, kritikën publike dhe pjesëmarrjen qytetare, duke dobësuar aftësinë e gazetarëve dhe shoqërisë civile për t’u kërkuar llogari autoriteteve publike.
Detyrimi i shtetit për mbrojtjen e të drejtave themelore shtrihet te gazetarët, operatorët, fotoreporterët, gazetarët freelance, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, monitoruesit e pavarur të protestave dhe aktorët e tjerë të shoqërisë civile që dokumentojnë dhe angazhohen në çështje me interes publik. Ata duhet të jenë në gjendje ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre të ligjshme pa dhunë, frikësim apo ndërhyrje të paligjshme.
Për këto arsye, kërkojmë veprim urgjent dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse, në përputhje me mandatet dhe kompetencat e tyre:
1. I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të adresojë urgjentisht rastet e raportuara të dhunës dhe pengimit të gazetarëve dhe ekipeve mediatike gjatë protestave të 13 tetorit 2026, të sqarojë publikisht rrethanat e incidenteve dhe të sigurojë ruajtjen dhe vënien në dispozicion të autoriteteve kompetente hetimore të të gjitha provave përkatëse. Gjithashtu, i kërkojmë Policisë të marrë masa të menjëhershme parandaluese, të zbatojë plotësisht Udhëzuesin për Sigurinë e Gazetarëve dhe të garantojë raportimin e sigurt dhe të papenguar, si dhe monitorimin e pavarur të tubimeve publike, veçanërisht gjatë përdorimit të mjeteve për kontrollin e turmës.
2. I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme të adresojë pretendimet e përsëritura për përdorim të tepruar dhe joproporcional të forcës policore, të shqyrtojë reagimin institucional ndaj incidenteve të dokumentuara që nga korriku 2026 dhe të shpjegojë publikisht masat e marra për të korrigjuar mangësitë në veprimet, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien e strukturave policore, si dhe për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të ngjashme.
3. I bëjmë thirrje Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore të kryejë hetime të menjëhershme, të pavarura dhe efektive mbi rastet e raportuara të dhunës dhe pengimit nga punonjës të policisë, përfshirë incidentet e 13 tetorit dhe rastet e dokumentuara më parë, si dhe të sigurojë referimin pranë organeve kompetente të prokurorisë të çdo rasti ku ekzistojnë dyshime për vepra penale.
4. U bëjmë thirrje organeve kompetente të prokurorisë të hetojnë pa vonesë, në mënyrë të pavarur dhe efektive, pretendimet për vepra penale të kryera ndaj gazetarëve, përfshirë incidentet e 13 tetorit, si dhe të sigurojnë identifikimin e autorëve dhe ndjekjen e tyre penale, në përputhje me ligjin.
5. I bëjmë thirrje Ministrisë së Drejtësisë, brenda fushës së saj të përgjegjësisë, të vlerësojë dhe forcojë garancitë ligjore për mbrojtjen efektive të gazetarëve, punonjësve të medias dhe aktorëve të mbikëqyrjes publike nga dhuna, frikësimi dhe pengimi gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre, si dhe aksesin e tyre në mjete juridike efektive.
6. I bëjmë thirrje Avokatit të Popullit të shqyrtojë në mënyrë të pavarur incidentet e përsëritura të dhunës së dyshuar policore dhe pengimit të gazetarëve dhe aktorëve të mbikëqyrjes publike gjatë protestave, të vlerësojë respektimin e standardeve të të drejtave themelore dhe të japë rekomandime për parandalimin e shkeljeve të mëtejshme.
I bëjmë gjithashtu thirrje Kuvendit të Shqipërisë të ushtrojë përgjegjësitë e tij mbikëqyrëse përmes organizimit të një seance dëgjimore parlamentare mbi incidentet e përsëritura ndaj gazetarëve dhe aktorëve të mbikëqyrjes publike, reagimin e institucioneve kompetente dhe zbatimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes. Në këtë seancë duhet të përfshihen institucionet përgjegjëse dhe përfaqësuesit e gazetarëve dhe të shoqërisë civile, ndërsa gjetjet dhe rekomandimet e saj duhet të bëhen publike dhe të ndiqet zbatimi i tyre.
U kërkojmë institucioneve përgjegjëse të informojnë publikisht mbi veprimet e ndërmarra, rezultatet e tyre dhe masat e miratuara për parandalimin e incidenteve të ngjashme.
Gjithashtu, i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së t’i ndjekin nga afër këto zhvillime dhe t’i ngrenë këto shqetësime në dialogun e tyre me autoritetet shqiptare. Mbrojtja efektive e gazetarëve, liria e shprehjes, llogaridhënia institucionale dhe pjesëmarrja kuptimplotë qytetare janë pjesë thelbësore e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Grupkapitullit 1 – Themeloret, veçanërisht Kapitullit 23 për Gjyqësorin dhe të Drejtat Themelore. Progresi drejt anëtarësimit në BE duhet të vlerësohet jo vetëm përmes angazhimeve ligjore, por edhe përmes zbatimit efektiv të tyre në praktikë.
Përgjegjësia për ruajtjen e rendit publik nuk mund të justifikojë përdorimin joproporcional të forcës, dhunën apo pengimin e raportimit të pavarur dhe të veprimtarisë legjitime të mbikëqyrjes në interes publik. Dhuna ndaj gazetarëve, pavarësisht nga kush ushtrohet, është e papranueshme. Kur incidente të tilla përsëriten pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme, efektiviteti i mekanizmave mbrojtës dhe i llogaridhënies institucionale kthehet në një çështje urgjente të interesit publik.
Siguria e gazetarëve dhe mundësia e qytetarëve dhe shoqërisë civile për të mbikëqyrur ushtrimin e pushtetit publik janë thelbësore për llogaridhënien demokratike.
Shprehim solidaritetin tonë me gazetarët, punonjësit e medias, mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe aktorët e mbikëqyrjes publike që përballen me dhunë, frikësim apo pengim. Mbetemi të angazhuar për mbrojtjen e sigurisë, lirive themelore dhe të drejtës së tyre për të mbikëqyrur pushtetin publik pa frikë apo hakmarrje.
Me respekt,
Organizatat nënshkruese
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)
Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ)
Reporterët pa Kufij (RSF)
Observatori i Ballkanit, Kaukazit dhe Transeuropës (OBCT)
Free Press Unlimited (FPU)
Rrjeti SafeJournalists
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës
Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë
Sindikata e Medias e Malit të Zi
Organizatat e shoqërisë civile shqiptare:
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
Gratë Shqiptare në Audiovizual (AËA)
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM)
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)
Qendra Res Publica
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative në Shqipëri (BIRN Albania)
Drejtësi Sociale
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH)
Instituti Shqiptar i Medias (ISHM)
Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Qëndresa Qytetare
Instituti i Studimeve Politike (ISP)
Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)
Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)
Citizens.al