Protesta e studentëve, reagon delegacioni i BE-së: Policia të veprojë në mënyrë proporcionale, të gjitha palët të ulin tensionet

Delegacioni i Bashkimit Europian ka reaguar në lidhje me protestën e studentëve, e cila ka përshkallëzuar në dhunë.

Delegacioni i BE thotë se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane dhe ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.

Ndërkohë nënvizohet se veprimet e policisë në protestë duhet të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore.

Më tej, delegacioni i BE-së në Tiranë bën thirrje për dialog konstruktiv, si e vetjma rrugë përpara.

” Ne shprehim shqetësim në lidhje me përshkallëzimin e dhunshëm të protestës në Tiranë. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore. Ne jemi në dijeni të pretendimeve për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Presim që veprimet e policisë të jenë proporcionale dhe të respektojnë të drejtat themelore, siç edhe presim që këto raste të hetohen me përparësi. Inkurajojmë të gjitha palët të ulin tensionet. Dialogu konstruktiv ndërmjet të gjithë aktorëve të përfshirë është e vetmja rrugë përpara.”