Mediat ndërkombëtare i kanë bërë jehonë protestës së studentëve një ditë me parë, e shoqëruar me tensione dhe dhunë.
Reuters në një artikull shkruan se studentët shqiptarë protestojnë për arsimin, vendet e punës dhe përplasen me policinë.
“Studentët protestues hodhën tulla dhe blloqe betoni drejt Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë në Tiranë të martën dhe policia qëlloi me gaz lotsjellës dhe topa uji në përgjigje, ndërsa një demonstratë mbarëkombëtare mbi arsimin dhe çështjet sociale u shndërrua në të dhunshme… Demonstrata vjen në mes të një vale më të gjerë të aktivizmit studentor në Evropë. Në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë organizuar javë të tëra protestash dhe bllokimesh shkollash duke kërkuar më shumë mësues dhe ambiente më të mira, duke argumentuar se ndërtesat shkollore në përkeqësim dhe klasat e mbipopulluara po dëmtojnë arsimin”, thuhet ndër të tjera në artikull.
Edhe Al Jazeera i ka kushtuar rëndësi revoltës studentore, ku në artikull shkruhet mes të tjerash dhe për protestën kundër kryeministrit Edi Rama, që ka nisur që prej muajit maj.
“Kryeqyteti i Shqipërisë ka parë një sërë protestash antiqeveritare që nga maji , të nxitura nga një projekt turizmi luksoz i lidhur me familjen e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Projekti ka nxitur zemërim për korrupsionin e dyshuar dhe mungesën e transparencës, me protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Studentët i bënë jehonë këtyre kërkesave, por i thanë medias lokale se tubimi i së martës synonte gjithashtu të kritikonte kushtet universitare, tarifat e shkollimit dhe mungesën e mbështetjes për të rinjtë”, thuhet në artikull.
Dhe media italiane ANSA ka shkruar për protestën e djeshme, dhunën dhe përleshjet masive të qytetarëve me uniformat blu.
“Një protestë studentësh dhe qytetarësh jashtë Ministrisë së Arsimit në Tiranë u përshkallëzua shpejt në përleshje të dhunshme me policinë. Turma, e cila numëronte me qindra, brohoriti slogane antiqeveritare përpara se të hidhte fishekzjarrë, bojë, vezë dhe gurë shtrimi të shqyer nga trotuari”, thuhet në artikull.