Ashtu siç e kishin paralajmëruar, studentët po protestojnë sot përpara Ministrisë së Arsimit.
Ata nisën marshimin e tyre nga qendra e Tiranës për t’u zhvendosur në Rrugën e Durrësit, ku ndodhet edhe Ministria e Arsimit.
“Ju erdhi fundi”; “Rama jepe dorëheqjen”; “Duam kushte, duam dije, jo pallavra qeverie”; janë disa nga thirrjet në protestë, teksa edhe qytetarë i janë bashkuar këtij tubimi.
Një nga protestuesit u shpreh për mediat se janë në protestë për të ardhme më të mirë, teksa shtoi se kanë marrë mbështetje edhe nga pedagogët.
“ Kemi ardhur që t’u japim fund sistemit komunist. Nuk ia kemi besën fare Ramës për negociata. Jemi këtu për t’ju thënë kryeministrit Rama largohu, se ne nuk të besojmë më.
Ne do vazhdojmë me këto protesta, sepse nuk kemi ardhur këtu për një ditë, por për të ardhmen tonë. Një pjesë e mirë e pedagogëve na kanë mbështetur”- tha njëri prej protestuesve.