Bojkoti i Dhomës së Avokatisë, Dumani: Gjyqi i Veliajt të vijojë pa avokat, ka një precedent në Apel

SPAK kërkon që procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të vijojë edhe pa praninë e avokatëve mbrojtës, të cilët kanë bojkotuar seancat pas vendimit të Dhomës së Avokatisë.

Gjatë seancës në GJKKO, prokurori Altin Dumani ka kërkuar që gjykata të shqyrtojë mundësinë që sjellja e të pandehurve dhe avokatëve të konsiderohet si heqje dorë nga e drejta e mbrojtjes.

Sipas Dumanit, mbrojtja është një e drejtë, por mënyra se si po veprojnë të pandehurit dhe avokatët e tyre duhet të merret në konsideratë nga gjykata, për të vlerësuar nëse procesi mund të vijojë pa praninë e mbrojtësve të zgjedhur.

Ai ka argumentuar se ekziston një precedent nga Gjykata e Apelit, ku një çështje është shqyrtuar pa praninë e avokatëve, duke kërkuar që edhe në rastin konkret të vlerësohet mundësia e ndjekjes së kësaj rruge.

“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat. Gjykata e Apelit e ka një precedent të tillë, ku ka shqyrtuar çështje pa avokat”, tha Dumani.

Nga ana tjetër, GJKKO nuk është shprehur ende për kërkesën e SPAK, duke bërë me dije se do të marrë një vendim në një moment të dytë.

Seanca e radhës për procesin ndaj Erion Veliajt është caktuar më 27 tetor. Gjykata ka vendosur që në këtë seancë të thirren avokatë nga shërbimi i ndihmës juridike falas pranë Ministrisë së Drejtësisë.