Etika përjashton me 60 ditë nga Kuvendi Gazment Bardhin dhe Klevis Balliun

Sekretariati i Etikës ka përjashtuar me 60 ditë dy deputetët e Partisë Demokratike, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas tensioneve në seancën e kaluar ku u votua projektligji për reformën territoriale.

PS kishte kërkuar përjashtimin e dy demokratëve, pasi Bardhi dhe Balliu pasi hodhën vezë dhe shishe me ujë në drejtim të kryeministrit Edi Rama, drejtuesve të Kuvendit dhe deputetëve socialistë.

Me këtë vendim, për dy muaj Bardhi dhe Balliu nuk do të mund të marrin pjesë në seancat plenare dhe mbledhjet e komisioneve parlamentare.

Demokratët e kundërshtuan vendimin si të paligjshëm, ndërsa vetë Klevis Balliu tha se këtë vendim do të ankimojnë.

Ai shtoi se nuk ka rregullore që përjashton deputetët për 2 muaj.

“Është hera e parë në histori të botës që morëm vesh që veza që e ka lëndë piroteknike. Unë e dija që e bënte pula. Nuk e dija që qenka lëndë piroteknike. Sipas rregullores mund të përjashtohesh kaq në qoftë se t’i përdor lëndë piroteknike. Veza nuk është lëndë piroteknike në mendimin tim, por ne mund të jemi gabim se sa të rrosh do mësosh.

Kjo ka vetëm një qëllim. Të godasë grupin parlamentar të Partisë Demokratike, të godasë debatin në parlament, të godasë reagimin e drejtë që kemi ne pasi sulmohemi, se siç keni parë ju jeni media vetë, që shishja e parë vjen nga pala e grupit të Partisë Socialiste që godasin kryetarin e grupit parlamentar Gazmend Bardhi dhe është video publike.

Pa diskutim që do ta ankimojmë dhe dua t’ju kujtoj këtu që ne kemi pasur disa procese gjyqësore në lidhje me këtë çështje dhe janë fituar të gjitha se nuk i njeh ligji këto”, tha Balliu.

Kujtojmë se seanca e të enjtes së kaluar u shoqërua me debate e tensione, teksa në fund u votua pr.ligji i PS për reformën territoriale që shkrin 15 bashki në vend.