Kuvendi miratoi me 85 vota pro projektligjin për ndarjen e re administrative dhe territoriale, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive.
Në një seancë maratonë, që nisi që prej orës 10:00 të mëngjesit të së enjtes dhe zgjati deri pas mesnate, pati debate të shumta mes opozitës dhe mazhorancës.
Megjithatë, ashtu siç pritej, projektligji u votua me 85 vota, pavarësisht se disa deputetë të PS kishin dalë kundër.
Mes tyre, Erion Braçe dhe Elisa Spiropali. Megjithatë ata nuk guxuan të dilnin kundër kryeministrit Edi Rama i cili u kishte dhënë ultimatum, se kush nuk e votonte duhet të ikte vete.
Votimi u krye në momente kaosi dhe tensionesh, teksa deputetët e PD u revoltuan duke hedhur sende të forta drejt kryeministrit Edi Rama, i cili mbërriti në sallën e Kuvendit pak çaste para se të niste votimi.
Projektligji për reformën territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46. Sipas hartës së propozuar, 15 bashki do të humbasin statusin si njësi më vete dhe do t’i bashkohen bashkive të tjera.
- Fushë-Arrëzi i bashkohet Pukës.
- Klosi i bashkohet Matit.
- Rrogozhina i bashkohet Kavajës.
- Dimali i bashkohet Beratit.
- Poliçani i bashkohet Beratit.
- Patosi i bashkohet Fierit.
- Divjaka i bashkohet Lushnjës.
- Selenica i bashkohet Vlorës.
- Maliqi i bashkohet Korçës.
- Këlcyra i bashkohet Përmetit.
- Memaliaj i bashkohet Tepelenës.
- Libohova i bashkohet Gjirokastrës.
- Cërriku i bashkohet Elbasanit.
- Belshi i bashkohet Elbasanit.
- Përrenjasi i bashkohet Librazhdit.