Protestat e nxënësve vazhduan sot në të gjithë Francën ndërsa mësimi u pezullua plotësisht ose pjesërisht në 400 deri në 500 shkolla të mesme, mes demonstratave për kushtet në arsim dhe rritjes së incidenteve të lidhura me to, transmeton Anadolu.
“Shifra përbën rreth 10 deri në 13 për qind të 3.700 shkollave të mesme në Francë”, tha ministri i Arsimit, Edouard Geffray, duke iu referuar shqetësimeve për sigurinë në institucionet e prekura.
Protestat, të cilat nisën në rajonin e Parisit në mesin e shtatorit, u përshkallëzuan javën e kaluar ndërsa nxënësit kërkuan më shumë burime, mirëmbajtje më të mirë të ndërtesave shkollore, klasa me më pak nxënës dhe masa për të trajtuar mungesën e stafit.
Në rajonin Ile-de-France që rrethon Parisin, pritej që sot të mbylleshin më shumë se 160 shkolla të mesme, sipas autoriteteve rajonale. Mobilizimi u shoqërua me disa incidente në Paris. Në shkollën e mesme “Vauquelin” në kryeqytet, autoritetet raportuan tre zjarre pranë hyrjes të hënën në mëngjes.
Drejtori i shkollës njoftoi policinë pasi zjarri i parë u raportua rreth orës 07:50 sipas kohës lokale, duke bërë që zjarrfikësit të ndërhynin dhe nxënësit e stafi të qëndronin brenda ndërtesës. Rreth 100 nxënës raportohet se u evakuuan nga shkolla pas incidentit.
Ndërkohë, nxënësit nisën të bllokonin shkollën e mesme “Turgot” në Paris sot herët, duke përdorur kosha, gardhe dhe tabela për të penguar hyrjen. Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit kanë raportuar një rritje të ndjeshme të arrestimeve dhe të plagosurve që nga fillimi i mobilizimit.
Autoritetet thanë se rreth 5.000 persona janë arrestuar që nga fillimi i lëvizjes, rreth 85 për qind e tyre të mitur në rajonin Ile-de-France. Sipas ministrit të Arsimit, 24 shkolla janë “djegur ose plaçkitur” ndërsa janë plagosur 78 punonjës të Ministrisë së Arsimit dhe rreth 600 policë dhe xhandarë.
Ministri tha se 170 nxënës janë plagosur që nga fillimi i protestave. Një nxënës 15-vjeçar i shkollës së mesme u plagos rëndë në dorë sot pasi mori një granatë policie, sipas raportimeve të mediave lokale, gjatë një proteste të nxënësve në qytetin verior francez Lens.
Në një incident tjetër të lidhur me protestat e nxënësve, një nxënës 17-vjeçar u ndalua sot nga policia në Aix-en-Provence, nën dyshimin se kishte hedhur një gur që goditi në sy një kalimtar të enjten e kaluar.
Kryetar i partisë Republikanët, Bruno Retailleau bëri thirrje për ndryshime në sistemin e drejtësisë për të miturit në Francë, duke propozuar uljen e moshës së përgjegjësisë penale në 15 vjeç. Liga Franceze për të Drejtat e Njeriut akuzoi forcat e rendit për një “largim më të gjerë nga sundimi i ligjit” dhe për mosrespektim të standardeve ligjore gjatë ndërhyrjeve policore ndaj nxënësve protestues.
Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare të Francës ka hapur pesë hetime për incidente të lidhura me mobilizimin. Kryeministri Sebastien Lecornu po përpiqet të zbusë krizën duke paraqitur pesë propozime dhe ka bërë thirrje që vendimet të merren para fundit të tetorit.