Kreu i PD Sali Berisha u ka bërë thirrje të gjithë mbështetësve demokratë t’i bashkohen protestës qytetare ditën e enjte.
Gjatë mbledhjes së grupit të PD, këtë të hënë, kryedemokrati iu drejtoi thirrjen denokratëve, teksa po atë ditë në Kuvend pritet të votohet drafti i Partisë Socialiste për reformën territoriale, që synon shkrirjen e disa bashkive.
“Protesta rinore qytetare po zvarrit çdo ditë në bulevardin e Tiranës kufomën politike të Edi Ramës. Ndaj, ditën e enjte, në protestën kombëtare qytetare, demokrate e demokratë nga e gjithë Shqipëria dhe Tirana do t’i bashkohen dhe do të jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj!
Jemi në protestë qytetare rinore, për një kauzë jashtëzakonisht të madhe! Protestohet kundër reformës territoriale me të cilën padrinoja kërkon, me një të rënë të lapsit, duke shkelmuar interesat e qytetarëve, të shuajë 15 bashki!”, u shpreh ai.
Gjatë mbledhjes, Berisha hodhi akuza të forta edhe për ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, duke thënë se ajo ka përcjellë informacione të klasifikuara te persona të lidhur me trafikun e drogës.
“Kriza në Shqipëri thellohet cdo ditë më shumë. Qëndrimet e padrinos janë një rrezik i madh jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e më gjerë. Është shndërruar në një avokat të pashembullt të Vlora Hysenit, Ergys Agasit, Ron Yeffet, Linda Karçanaj, Ermal Beqirit, Belinda Ballukut, i pabesë dhe i pakarakter. Pasi lau duart me ta , tani bën avokatin e tyre. Asnjeri nuk duhet të ketë dyshimin më të vogël se në çdo veprim dhe çdo akt i Ermal Beqirit, Linda Karcanaj dhe Vlora Hysenit është urdhri i Edi Ramës. Janë ndarje e parave me Edi Ramën. Është menaxhimi i parave të Edi Ramës, kjo është e vërteta.
Zërat po gumëzhijnë dhe ndaj ky kalon nga një dalje në një tjetër dhe përpiqet të shfajësojë aktet më të rënda në historinë e shtetit shqiptar. Shefja e Shërbimit Inteligjent që ka dorëzuar sekrete të shtetit më të rëndësishme te kartele të drogës dhe ndërmjetësi i tyre, po të kemi parasysh se këto kartele janë shpallur organizata terroriste nga Presidenti i SHBA dhe kjo shkon në lartësinë e tradhtive më të mëdha. Dhe Edi Rama, u thotë shqiptarëve se aleatët e çojnë Vlorën…”, tha Berisha.