Dy deputetë të Partisë Socialiste, Erion Braçe dhe Vullnet Sina kanë dale kundër draftit të mazhorancës për reformën territoriale, që parashkon shkrirjen e disa bashkive, nga 61 në 46.
Ata e kanë kundërshtuar draftin gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS, këtë të hënë.
Ndërkohë kreu i grupit të PS, Taulant Balla i pyetur nga gazetarët nëse do të ketë penalitete, ai u përgjigj se duhet lexuar rregullorja e grupit parlamentar.
Ai shtoi se vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve ky projektligj, të kalojë në seancë parlamentare. Madje si nje forme paralajmerimi, ai i kujton dy deputeteve “se sa e rëndësishme është të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm, ku Shqipëria nuk ka qenë më pranë Bashkimit Evropian”.
Votimi i këtij drafti është parashikuar në seancën e 8 tetorit. Për miratimin e tij nevojiten të paktën 84 vota.
Balla: Vendimi politik i grupit parlamentar është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve ky projektligj, të kalojë në seancë parlamentare. Hyn në këtë vendimmarrje politike, për të cilën kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë.
Secili ka shqetësimet e veta. Me të drejtë ju përmendët kolegun Sinaj, por një është të kesh diskutimet e tua dhe një është të kesh detyrimet e tua për të votuar për vendimmarrjen e përbashkët të grupit parlamentar. Por puna duhet të vazhdojë me intensitet në Komisionin e Ligjeve, sot dhe nesër, maksimalisht, për t’iu përmbajtur kalendarit të Kuvendit.
–Ai është shprehur kundër bashkimit të Selenicës me Vlorën?
Unë nuk thashë që vendimi politik i PS-së është që të gjithë deputetët të votojnë pro.
– A ka penalitete për ata që dalin nga rreshti dhe votojnë kundër vendimit tuaj politik?
Lexoni rregulloren e grupit.
–Ndoshta vota e tyre do të jetë kundër në seancën e të enjtes?
Nuk e di sot, por gjithmonë në mbledhjen e grupit parlamentar ka raste që deputetët shprehin mendimin e tyre kundër dhe votojnë edhe kundër, por në fund është ai vendimi që pason, që është vendimi politik. Dhe besoj që të gjithë deputetët e dinë se sa e rëndësishme është të ecim përpara në këtë moment të rëndësishëm, ku Shqipëria nuk ka qenë më pranë Bashkimit Evropian.
Javën e ardhshme kemi një moment tjetër kulminant që lidhet me konferencën e radhës ndërqeveritare. Mbyllet një kapitull tjetër. Ky është një ndërgjegjësim politik.
–A po i kërcënoni dy deputetët?
Absolutisht jo. Janë ndër dy deputetët më të mirë që ka grupi parlamentar.